Flash News

E-TJERA

Spektakël në 'Parc des Princes', gjysmëfinalja PSG–Bayern thyen rekordin historik në Champions

Spektakël në 'Parc des Princes', gjysmëfinalja

Paris Saint-Germain dhe Bayern Munich dhuruan një nga ndeshjet më spektakolare në historinë e UEFA Champions League, me kampionët francezë që triumfuan 5–4 në ndeshjen e parë gjysmëfinale në “Parc des Princes”.

Sfida nisi me ritëm të çmendur, ku Harry Kane kaloi Bayern-in në avantazh nga penalltia. Megjithatë, Khvicha Kvaratskhelia barazoi shifrat për PSG, para se João Neves të përmbyste rezultatin me një gol me kokë për vendasit.

Bayern reagoi menjëherë me Michael Olise që vendosi barazimin 2–2, por në fundin e pjesës së parë Ousmane Dembélé shënoi nga penalltia duke e çuar PSG në pushim në avantazh 3–2.

Në pjesën e dytë, PSG u duk se e mbylli ndeshjen: Kvaratskhelia dhe Dembélé shënuan sërish, duke çuar rezultatin në 5–2 në një natë të jashtëzakonshme për sulmin parizien.

Megjithatë, Bayern nuk u dorëzua. Dayot Upamecano ngushtoi diferencën, ndërsa Luis Díaz realizoi golin e 5–4, duke mbajtur gjallë shpresat për ndeshjen e kthimit.

Ndeshja e kthimit do të luhet në “Allianz Arena”, ku Bayern Munich do të kërkojë përmbysjen, ndërsa PSG do të tentojë të mbrojë avantazhin për të siguruar finalen e madhe në Budapest më 30 maj.

PSG, që kërkon të bëhet një nga pak skuadrat që e fiton Champions League dy herë radhazi, mori një fitore historike, por gjithçka mbetet e hapur pas një spektakli futbolli që tashmë hyn në histori.

Të fundit