Flash News

E-TJERA

Spitalet private fillojnë të gjenerojnë fitime, pas gati dy dekadash

Spitalet private fillojnë të gjenerojnë fitime, pas gati dy

Në shumicën e vendeve të zhvilluara, spitalet private arrijnë pikën e kthimit të investimit (“break-even”) brenda tre deri në pesë viteve nga fillimi i aktivitetit.

Kjo periudhë lejon amortizimin e investimeve fillestare në infrastrukturë, teknologji dhe staf, ndërkohë që baza e pacientëve konsolidohet përmes sigurimeve shëndetësore private ose bashkëpagesave të rregullta nga shteti.

Në tregje të tilla, spitalet private operojnë në një ekosistem të qëndrueshëm financiar, të mbështetur nga rimbursime publike dhe një popullatë me fuqi paguese të lartë.

Në Shqipëri, ky cikël ka rezultuar shumë më i gjatë, duke iu afruar dy dekadave. Pothuajse të gjitha spitalet private kryesore në vend, përfshirë operatorë të konsoliduar me dekada aktivitet, kanë raportuar humbje të vazhdueshme prej vitesh ose fitime tepër minimale.

Përfaqësues të sektorit pohojnë se kostot e larta operative, pagesat e larta për mjekët, investimet e vazhdueshme në teknologji dhe aftësia e ulët paguese e popullsisë janë faktorët kryesorë që e bëjnë kthimin e kapitalit të vështirë.

Sipas raporteve të spitaleve vendase, kërkesa për shërbime shëndetësore private ndikohet nga një sërë faktorësh: të ardhurat e disponueshme të konsumatorëve, zhvillimet demografike si rënia e lindjeve, cilësia e shërbimeve publike, kohëzgjatja e listave të pritjes, përdorimi i teknologjisë.

Ky kombinim faktorësh po e kufizon rritjen e tregut privat të shëndetësisë, duke e bërë të vështirë arritjen e volumit të nevojshëm për mbulimin e kostove.

Në vendet e zhvilluara, pjesa më e madhe e të ardhurave të spitaleve private vjen nga sistemet e sigurimeve shëndetësore publike ose private, të cilat mbulojnë një pjesë të çmimeve për pacientët.

Në Shqipëri, përkundrazi, shërbimet private paguhen plotësisht nga pacientët, përmes pagesave direkte (“out of pocket”), apo sigurimet e shëndetit në shoqëritë private.

Në kushte ku fuqia blerëse e popullsisë është e ulët dhe inflacioni ka ngritur ndjeshëm kostot e jetesës, spitalet private përballen me presion për të mbajtur çmimet sa më të ulëta, duke sakrifikuar marzhin e fitimit.

Por, operatorët pohojnë se këto çmime nuk i mbulojnë më kostot e rritura të materialeve mjekësore, që importohen thuajse plotësisht, dhe as shpenzimet për personelin mjekësor dhe administrativ, që janë rritur për të frenuar largimin e profesionistëve drejt jashtë vendit.

Në të njëjtën kohë, numri i lindjeve është në rënie, duke ndikuar drejtpërdrejt klinikat obstetrike, ndërsa emigracioni dhe plakja e popullsisë kanë ulur kërkesën për shërbime të tjera.

Këta faktorë të kombinuar kanë bërë që spitalet private të funksionojnë me fitime minimale ose humbje të vazhdueshme, pavarësisht investimeve të mëdha në infrastrukturë, aparatura dhe staf.

“Hygeia”, një investim me kapital grek, prej rreth 60 milionë eurosh, që u nxit nga shpenzimet e mëdha të shqiptarëve në Greqi për t’u kuruar dhe u hap në vitin 2007, rezultoi në mënyrë të përhershme me humbje.

Spitali u shit në vitin 2018 tek “American Hospital” për vetëm 1 milion euro, ndërsa blerësi mori përsipër detyrimet e “Hygeia Hospital Tirana” (që u riemërtua në “International Hospital”), që arritën në atë kohë në 29.5 milionë euro në total.

Pasi operoi për disa vite si e ndarë, në shtator 2024, “American Hospital” përthithi “International Hospital”, në mënyrë që të përmirësonte performancën e përgjithshme financiare dhe sinergjitë operacionale.

“International Hospital” e mbylli rrugëtimin me një fitim modest, që e arriti vetëm në vitin 2023. “International Hospital” ka kontribuar me 17.2 miliardë lekë të ardhura dhe 18.5 milionë lekë fitime për periudhën ndërmjet datës së blerjes (në 2018-n) dhe datës së raportimit, sipas raportit të aktivitetit të “American Hospital”./ Monitor

Të fundit