Flash News

E-TJERA

“Sqiten gjo cunat”, bisedat mes Benet Becit dhe Ervis Berberit nxjerrin në pah skandalin e tenderit në KESH

“Sqiten gjo cunat”, bisedat mes Benet Becit dhe Ervis Berberit

Dosja hetimore mbi një procedurë prokurimi në KESH ka zbuluar se dy muaj përpara tenderit me vlerë rreth 700 mijë euro, disa zyrtarë të lartë të energjisë nisën bisedimet për paracaktimin e tij. Sipas dokumenteve të siguruara, pjesë e grupit të komunikimit kanë qenë Benet Beci, atëherë Administrator i KESH, Ervis Berberi, drejtori i Agjencisë së Energjisë dhe Eficencës, si dhe Adela Ruko dhe Dritan Dakoli.

Bisedat, e zbardhura nga Ora News, zbulojnë koordinim të qartë mes tyre. Më 29 tetor 2019, ora 18:47:59, Evis Berberi i dërgon Benet Becit SMS: “Përshëndetje Visi, jam nesër kur mund të takohemi”.

Dita tjetër, Benet Beci e kontakton Berberin përmes WhatsApp. Më pas, Berberi i shkruan Dakolit, dhe ky i fundit i thotë Becit: “U nisa për 10 min besoj se kam aty”.

Sipas burimeve, kjo komunikim duket të jetë pjesë e një takimi ku diskutohej tenderi në fjalë. Më 31 tetor, Dakoli i dërgon Berberit një dokument me emërtimin: “Kërkesat për kualifikim CMA - masterplan KESH”.

Një ditë më pas, Berberi i përcjell të njëjtin material Becit. Dokumenti përmban draftin e kritereve të përgjithshme dhe veçanta për kualifikimin, të cilat janë përdorur më pas në tenderin me nr. REF-46463-12-18-2019, me objekt: “Zhvillimi Strategjik i Sektorit Energjitik”.

Komunikimi vijon më tej, Benet Beci i përgjigjet Berberit me SMS: “Ok flm Visi”.

Dritan Dakoli më 7 nëntor 2019 i dërgon Berberit materialin “Electricity Workstream Deliverables 2019-2020” me tekst: “Harvardi për KESH. Më thanë, hidhi një sy. I thashë, këtë e kanë bërë profesorët, çfarë mund të themi ne të shkretët me dy klas shkollë?”.

Berberi përgjigjet: “Hahaha, kush ta çoi”. Më 18 nëntor, Dakoli i shkruan Berberit: “Sqiten gjo cunat e KESH”, Berberi kthen: “Të them unë, po e bëjnë gati”.

Në mesazhet e fundit të dokumentuara, më 10 dhjetor 2019, Berberi i shkruan Dakolit: “Fol me Reiden se mos bën poça për kriteret”. Dakoli përgjigjet: “Po boni poça, ja gjej dikë besoj”.

Në dosje del gjithashtu edhe Adela Ruko, e cila i ka dërguar Berberit një foto në kqyrje paraprake, që nuk është regjistruar në atë kohë, por që SPAK e ka siguruar më vonë si provë nga kompjuterat e sekuestruar.

Hetimi vazhdon, ndërsa këto biseda nxjerrin në pah dyshime të forta për paracaktim të tenderit dhe koordinim të zyrtarëve të lartë të energjisë, duke ngritur pyetje për transparencën dhe integritetin e prokurimeve publike në sektorin energjitik.

Të fundit