Flash News

E-TJERA

Strehimi i afganëve, qeveria shqiptare vë në dispozicion 6.7 mln lekë për rikonstruktimin e Qendrës Kombëtare të Azilkërkuesve

Strehimi i afganëve, qeveria shqiptare vë në dispozicion 6.7 mln
Foto Ilustruese/ Refugjatë afganë

Shqipëria do të pres afro 3 mijë afganë që do të strehohen përkohësisht për shkak të situatës emergjente dhe kaotike të krijuar në Afganistan pas pushtimit nga militantët talebanë.

Qeveria ka vendosur të shpërndajë një fond prej 6.7 milionë lekësh që do të përdoren për të rikonstruktuar Qendrën Kombëtare Pritëse për Azilkërkuesit, me qëllim shtimin e kapaciteteve akomoduese për azilkërkuesit.

“Fondi prej 6 700 000 (gjashtë milionë e shtatëqind mijë) lekësh të përdoret nga Qendra Kombëtare Pritëse për Azilkërkues, për kryerjen e procedurës së prokurimit me objekt: “Rikonstruksion i godinës së QKPA-së”, me qëllim rritjen e kapaciteteve akomoduese për kërkuesit e mbrojtjes ndërkombëtare në Qendrën Kombëtare Pritëse për Azilkërkues në Tiranë”, thuhet në vendimin e botuar në Fletoren Zyrtare.

VENDIM

Nr. 499, datë 20.8.2021

PËR MIRATIMIN E RISHPËRNDARJES SË FONDEVE BRENDA PROGRAMEVE BUXHETORE TË MINISTRISË SË BRENDSHME

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 44, të ligjit nr. 9936, datë 26.6.1998, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr. 137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, dhe të nenit 44, të ligjit nr. 10/2021, “Për azilin në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

1.Në buxhetin e vitit 2021 të bëhet rishpërndarja e fondeve brenda programeve buxhetore të miratuara për Ministrinë e Brendshme, si më poshtë vijon:

a) për programin “Planifikim menaxhimi”, në artikullin 231 “Shpenzime kapitale të trupëzuara”, shtohet fondi prej 6 700 000 (gjashtë milionë e shtatëqind mijë) lekësh;

b) për programin “Policia e Shtetit”, në artikullin 231 “Shpenzime kapitale të trupëzuara”, të pakësohet fondi prej 6 700 000 (gjashtë milionë e shtatëqind mijë) lekësh.

2.Fondi prej 6 700 000 (gjashtë milionë e shtatëqind mijë) lekësh të përdoret nga Qendra Kombëtare Pritëse për Azilkërkues, për kryerjen e procedurës së prokurimit me objekt: “Rikonstruksion i godinës së QKPA-së”, me qëllim rritjen e kapaciteteve akomoduese për kërkuesit e mbrojtjes ndërkombëtare në Qendrën Kombëtare Pritëse për Azilkërkues në Tiranë.

3.Ngarkohet Qendra Kombëtare Pritëse për Azilkërkues që, për shkak të emergjencës së krijuar nga kërkuesit e mbrojtjes ndërkombëtare, të marrë masa të menjëhershme në funksion të rikonstruksionit të godinës, sipas përcaktimeve të pikës 2, të këtij vendimi, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

4.Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.

 

Të fundit