Flash News

E-TJERA

Studimi i ISHP dhe UNFPA në Shqipëri: 32% e të miturve raportojnë dhunë fizike

Studimi i ISHP dhe UNFPA në Shqipëri: 32% e të miturve

1 në 3 fëmijë të moshës shkollore 11, 13 dhe 15 vjeç kanë raportuar se janë lënduar apo dhunuar fizikisht nga prindërit apo anëtarët e tjerë të familjes. E thënë në përqindje, gati 32 %  e të miturve raportojnë prezencë të dhunës fizike në familjen e tyre. Ky fenomen i rritur në shifra shqetësuese tregon se sa e përhapur është dhuna brenda mureve të shtëpisë. Fatkeqësisht, kjo diktuar edhe nga mentaliteti se përmes dhunës rritet dëgjueshmëria e fëmijëve ndaj prindërve për të mos përsëritur  të njëjtin gabim.

Vetëm 5% e të miturve të moshës 15 vjeç raportuan se kanë qenë dëshmitarë të dhunës në familje por nuk e kanë përjetuar në fizikun e tyre. Të dhënat shqetësuese i përkasin raportit të fundit “Abuzimi i adoleshentëve dhe të rinjve në Shqipëri”  i realizuar nga ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik(ISHP) mbështetur nga UNFPA në Shqipëri që ka në misionin e saj të drejtat e njeriut, mbrojtjen e shëndetit të grave, nënave dhe fëmijëve.

Gjetjet u prezantuan dhe u diskutuan nëKomisionin parlamentare për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë si dhe në Nënkomisionit Parlamentar për Barazinë Gjinore dhe Parandalimin e Dhunës ndaj Gruas ngritur enkas për të trajtuar raste dhe fenomene të tilla. Një qasje e tillë, njohje a situatës së dhunës dhe abuzimit fizik i adresuar në komisionet parlamentare do t’i bëj ligjëvënsit të rishohin kuadrin ligjor, të analizojnë situata dhe të adresojnë më mirë politikat për të reduktuar fenomene të tilla; me pasoja direkte në shëndetin dhe mirëqënien e fëmijëve dhe adoleshentëve.

Referuar gjinisë, sipas gjetjes së studimit, dhuna fizike dhe ajo emocionale është më prezentë tek femrat se sa tek meshkujt. E thënë statistikisht, prevalenca e dhunës fizike dhe abuzimit seksual është 18% tek femrat(të mitura) dhe 13% tek djemtë(të miturit).

Dhunuesit në familje, sipas studimit, janë në pjesën më të madhe prindërit. Në këtë rast prevalenca më e madhe është tek nënat 32.7% dhe tek babai 25%.

Punonjësit sociale dhe psikologët e argumentojnë këtë edhe me faktin se nëna kalon më shume kohë gjatë edukimit dhe rritjes së fëmijëve. Ndërsa motrat dhe vëllezërit abuzues prevalenca e abuzimit nga ata është 12% dhe dhunuesit janë në moshë disa vite më të mëdhenj se viktima.

Studimi i ekspertëve të shëndetësisë dhe UNFPA në Shqipëri e lidhin dhunën në familje me disa faktor si:

·        Niveli i ulët arsimor;

·        Mentaliteti patriakal;

·        Papunësia e prindërve, varfëria;

·        Abuzues të alkoolit apo drograve.

Gjithashtu faktor risku vlerësohet në këtë rast dhe fillimi i hershëm i marrëdhënieve seksuale dhe numri i lartë i  partnerëve seksualë.

Përsa i takon kuadrit ligjor, Shqipëria ka qasje të mirë legjislative me vendet europiane ne lidhje me parandalimin e dhunës në familjes dhe ndaj fëmijëve. Gjithashtu është pjesë e konventave europiane e të drejtave të fëmijëve dhe të gruas si kategoritët më të prekura dhe të ndjeshme ndaj dhunës në familje. Shqipëria ka bërë vitet e fundit ndryshime në kodin penal duke ashpërsuar ligjet për dhunuesit dhe duke u siguruar mbrojtje dhe rehabilitim viktimave të dhunës.

Por e gjitha kjo nuk mjafton, pasi praktikisht kërkohet një zbatim më i mirë i kuadrit ligjor dhe atij të politikave sociale. Për vendin tonë, zbatimi i ligjit mbetet ende një sfidë, sidomos kur bëhet fjalë për mbrojtjen e fëmijëve, vajzave e djemve nga dhuna dhe abuzimi. Akoma është i vështirë ofrimi i shërbimeve mbështetëse të specializuara për fëmijët vajza dhe djem të dhunuar, sidomos në rastin e dhunës seksuale. Studimi evidenton se shërbimet ekzistuese nuk janë të shtrira dhe nuk kanë kapacitet të mbulojnë mbarë territorin e vendit, jo gjithmonë kanë profesionistët e duhur për këtë qëllim, nuk financohen mjaftueshëm. Për këto arsye, ekspertët disktuan me anëtarët e komisioneve parlamentare për mënyrën se si duhet të përmirësojnë më tej kuadrin ligjor si dhe të monitorojmë përmës mekanizmave institucional zbatueshmërinë e ligjit.

 

Të fundit