Flash News

E-TJERA

"Takoi kryetaren e Kushtetuese dhe loboi në favor të Veliajt", Aleanca për Teatrin akuza Soreca-s: Doli nga dera e pasme e godinës

"Takoi kryetaren e Kushtetuese dhe loboi në favor të

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar ka hedhur akuza të rënda ndaj ambasadorit të BE-së në Shqipëri Luigi Soreca, pasi pretendojnë se ky i fundit, ditën kur do të zhvillohej seanca për Teatrin Kombëtar në Gjykatën Kushtetuese, para seancës ka takuar kryetaren e Gjykatës dhe ka lobuar në favor të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj dhe më pas ka dalë nga dera e pasme.

Përfaqësueja ligjore e AMTK-së, Adriana Kalaja tha për mediat se atë e kanë parë persona të punësuar në bizneset para godinës së Gjykatës Kushtetuese dhe takimi nuk është bërë publike. Ajo ka depozituar një kërkesë sot në Gjykatën Kushtetuese, ku i kërkon të bëhet publike nëse ky takim ka qenë i programuar, cili ka qenë objekt i bisedimeve dhe pse ky takim është mbajtur i fshehtë.

Ajo tha se kjo gjë do i bëhet me dije dhe Bashkimit Europian, pasi sipas saj,  cenon shumë njëanshmërinë e Gjykatës Kushtetuese, cenon shumë pavarësinë e pushtetit dhe mbi të gjitha që cenon legjitimitetin e kryetares së Gjykatës Kushtetuese.

Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese ende nuk ka dhënë një vendim mbi padinë e Presidentit Ilir Meta për Teatrin Kombëtar, ndërsa dje Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi lejen e ndërtimit për Teatrin e ri Kombëtar, ndërsa pak ditë më parë Qeveria miratoi fondin dhe pritet që së shpejti të nisin punimet.

"Kemi depozituar një kërkesë për informacion, pasi mbështetës, anëtarë të Alencës për Teatrin, të cilët punojnë te bizneset para godinës së Gjykatës Kushtetuese kanë konstatuar që në ditët e seancës së Teatrit Kombëtar ambasadori Soreca ka bërë një takim me kryetaren e Gjykatës, takim i cili nuk është bërë publik dhe pas takimit, 5 minuta para seancës gjyqësore ambasadori Soreca ka dalë nga dera e jashtme e Gjykatës Kushtetuese. Ne jemi shumë të shqetësuar sepse nuk e kuptojmë arsyen pse ambasadori Soreca duhet të vijë pikërisht në ditën e seancës për Teatrin Kombëtar dhe në kërkesat tona të sotme drejtuar Gjykatës Kushtetuese kemi kërkuar së pari të bëhet publike nëse ky takim ka qenë i programuar, nga ana tjetër kemi kërkuar që të bëhet publike kush ka qenë objekt i bisedimeve dhe e fundit, pse takimi, ndryshe nga gjitha takimet që bëjnë ambasadorët i bëjnë publike, kjo nuk është bërë. Fakti që kjo është mbajtur e fshehtë, fakti që ambasadori është larguar nga dera e pasme e godinës, cenon shumë njëanshmërinë e Gjykatës Kushtetuese, cenon shumë pavarësinë e pushtetit dhe mbi të gjitha që cenon legjitimitetin e kryetares së Gjykatës Kushtetuese apo e kujtdo tjetër që ka bërë këtë takim pa njoftuar dhe pa e bërë publike për mediat.

Takimi është zhvilluar brenda ambienteve të Gjykatës dhe informacioni që ne kemi është se zoti Soreca ka ardhur për të lobuar në favor të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, sepse mendon se ne qëndrestarët e Teatrit mund t’i kalojmë gjërat kaq lehtë dhe mund t’i kalojmë gjërat siç janë kaluar gjithë këtë kohë kur ato futen dhe dalin nëpër institucionet tonë të drejtësisë, japin dhe urdhra dhe mesazhe të koduara dhe nuk ka asnjë reagim. Ne i kemi kërkuar SPAK-ut, te sekuestrojë të gjitha kamerat brenda dhe jashtë Gjykatës Kushtetuese, të bizneseve rreth kësaj Gjykate.

Do kërkojmë, nëse është e vërtetë ajo që ne kemi pretenduar, vetëlargimin e kryetares nga trupi gjykues, në të kundërt  ne do të kërkojmë largimin e saj. Po kështu ne po bëjmë gati të gjithë informacionit, do ia bëjmë me dije BE-së sesi një ambasador në shkelje të plotë të dispozitave ligjore shqiptare, të marrëveshjeve ndërkombëtare, por mbi të gjitha të Kushtetutës Shqiptare vjen dhe bën presion pranë Gjykatës Kushtetuese. Do kallëzohet dhe penalisht.” tha Adriana Kalaja për mediat.

Të fundit