Flash News

E-TJERA

Taksimi për profesionet e lira, Kushtetuesja iu lë afat palëve të paraqesin argumente shtesë deri në 21 qershor

Taksimi për profesionet e lira, Kushtetuesja iu lë afat palëve

Gjykata Kushtetuese vendosi sot që ti lërë një afat deri në 21 qershor ankimuesve, që kërkojnë pezullimin e ligjit “Për tatimin e profesionistëve të lirë”, pasi nga padia e depozituar nuk evidentohen pasoja të pariparueshme.

Vendimi përfundimtar nëse do shfuqizohet apo jo ligji ‘Për tatimin e profesionistëve të lirë’ do të merret në 25 qershor.

Seanca në Kushtetuese ka zgjatur 7 orë, ndërsa Gjykata vendosi të refuzojë miratimin e kërkesës për shfuqizimin e pjesshëm të disa e neneve në ligjin për “Tatimin mbi të ardhurat”, deri në marrjen e një vendimi përfundimtar.

Ankimuesit kërkuan shfuqizimin e ligjit me argumentin se është diskriminues, rëndon shtresën e mesme dhe nuk është në përputhje me Kushtetutën. Ata parashtruan në seancë rastet se si ka ndikuar ky ligj në mbylljen e qindra bizneseve, ndërkohë që ngritën pretendimet se ai cënon sigurinë e tyre. Ankimuesit kanë deklaruar se tatimi në Shqipëri është në normën më të lartë krahasuar kjo me vendet e Rajonit dhe BE-së, ndërsa i trajton profesionet e lira si biznese tregtare, edhe pse të parat nuk e kanë të garantuar normën e fitimit.

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, ftoi përfaqësuesit e palëve paditëse (3 përfaqësuesve të padive, ajo e depozituar nga jo më pak se 1/5 e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë PD, Shoqata “Instituti i Kontabilistëve të Miratuar” (IKM) dhe “Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar” (IEKA), si dhe nga Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë, bashkë me përfaqësuesit e Ministrisë së Financave e Këshillit të Ministrave të paraqisnin provat shtesë brenda ditës së premte (21 qershor 2024).

Ndërkohë, në fund u vendos që seanca e radhës, ku pritet të jepet edhe vendimi të zhvillohet më 25 qershor, ora 10:00.

Që prej orës 10:00 të mëngjesit, u dëgjuan argumentet e 3 përfaqësuesve të padive, ajo e depozituar nga jo më pak se 1/5 e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, padia e Shoqatës së “Instituti i Kontabilistëve të Miratuar” dhe Shoqatës së “Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar”, si dhe nga Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë.

 

Ligji “Për tatimin mbi të ardhurat” u padit fillimisht në Gjykatën Kushtetuese në muajin shkurt nga 38 deputetë të partisë Demokratike”, thuhet në njoftimin e shpërndarë për mediat.

Të fundit