Flash News

E-TJERA

Talebanët marrin Afganistanin, gazetari afgan: S’jam i sigurt nëse kanë ndryshuar, kërkojmë mos derdhet më gjak

Talebanët marrin Afganistanin, gazetari afgan: S’jam i sigurt
Foto Ilustruese/ Talebanët në Afganistan

Talebanët fituan tashmë kontrollin e Kabulit, një javë pasi morën provincën Mazari al Sharif duke sunduar thuajse të gjithë pjesën veriore të vendit.

Në një intervistë për ABC News, gazetari afgan Ihsan Ziyayi, i cili punon për disa agjenci të huaja në Kabul ka dhënë detaje lidhur me situatën aktuale në Afganistan. Gazetari pohon se ardhja e talebanëve deri tani duket disi më e qetë krahasuar me 25 vite më parë. Megjithatë ai shprehet disi skeptik nëse talebanët do t’i mbajnë premtimet për të mos filluar hakmarrje apo do të sillen njësoj si në provincat që kanë marrë deri tani nën kontroll.

“Momentalisht nuk ka ndonjë zhvillim në drejtim të përkeqësimit të gjërave. Në një reagim publik, talebanët theksuan se nuk do të ketë hakmarrje dhe se jeta do të vijonte normalisht. Duket që kanë ndryshuar. Teknologjia sot është zhvilluar shumë krahasuar me 25 vite. Secili sipas tyre duhej të vijojë rutinën siç ka qenë. Nëse ata i qëndrojnë premtimeve të tyre dhe mënyrës se si janë sjellë nëpër provincat që kanë marrë më herët nën kontroll, nuk mendoj që të ketë ndonjë problem. Megjithatë, nuk di të them nëse kjo është vetëm një strategji momentale e tyre për të mos nxitur reagimin e qytetarëve dhe opinionit ndërkombëtar apo kanë ndryshuar vërtetë”, ka thënë Ihsan.

Mijëra afganë mësynë dje në aeroportin e Kabulit për t’u larguar nga vendi. Gazetari Ziyayi tha se u larguan vetëm ata persona që bëni pjesë në programin e vizave P2, të cilët ishin një numër i konsiderueshëm që kishin punuar për qeverinë e SHBA-së.

“SHBA-të tërhoqën një numër personash që kishin punuar me ta dhe kompanitë amerikane përmes programit të vizave P2. Me përshpejtimin e gjërave, SHBA-të evakuuan edhe personelin e ambasadës së tyre me shpejtësi. Me të dëgjuar këtë lajm, qytetarët mësynë aeroportin me idenë që do të mund të largoheshin me avionë pa vizë dhe pa asnjë dokument. Sigurisht, njerëzit janë të pasigurt për jetën e tyre dhe duan të largohen, por kjo nuk ndodhi. U larguan vetëm ata që ishin në programin e vizave P2”, sqaron gazetari.

Një pjesë e afganëve të larguar të cilët kanë në rrezik jetën dhe sigurinë, do të strehohen në Shqipëri. Gazetari bëri një profilizim të shkurtër të afganëve që kërkojnë strehim duke theksuar se këta persona janë funksionarë publikë, gazetarë, aktivistë të cilëve iu është rrezikuar jeta nga talebanët.

“Nuk kam një informacion të tillë për Shqipërinë. Di që ka pasur edhe Kanadaja një program të tillë, sigurisht edhe SHBA-të. Besoj që kjo do të zgjasë, si në rastin e SHBA-ve ku priten vizat etj. Nuk di nëse këto shtete do ta mbajnë fjalën për të pranuar këta njerëz dhe kjo është një gjë që do të shihet në ditët në vijim. Këta persona janë funksionarë publikë, gazetarë, aktivistë të të drejtave të grave dhe të njeriut etj., të cilët kanë qenë në shënjestrën e talebanëve dhe kanë marrë kërcënime prej tyre. Ata ndjehen më të rrezikuar nga kjo gjë", tha gazetari.

Ihsan Zyayi tha se populli afgan kërkon vetëm të mos përballet më me luftëra, por të jetojë në paqe. Ata kërkojnë që talebanët sot të sigurojnë vetëm stabilitet ku secili të jetë i qetë dhe të mos derdhet më gjak.

“Populli afgan nuk do ndonjë gjë të madhe, duam thjesht të mos ketë luftë dhe të jetojmë në paqe. Siç e dini, u bënë vite që Afganistani përjeton luftë. Të gjithë janë prekur nga kjo luftë. Populli kërkon stabilitet, kushdo qoftë në qeveri ne duam që të ketë  shtet ligjor, rregull dhe qetësi. Ky është vendi ynë, nuk kemi se ku të ikim. Duam që talebanët e sotëm të mos jenë ata të para 25 viteve. Mjafton të mos derdhet gjak dhe secili të jetojë i qetë jetën e tij”, përfundoi Zyayi.

Të fundit