Flash News

E-TJERA

Të huajt bëjnë 'namin' në Durrës, zbulohet një tjetër ‘fole' pros*itucioni

Të huajt bëjnë 'namin' në Durrës, zbulohet
Foto ilustruese

Një tjetër apartament i përshtatur për ushtrimin e prostitucionit është zbuluar nga Policia në Durrës ndërsa protagonistë janë shtetas të huaj. 

Sipas njoftimit të bluve apartamenti është zbuluar në lagjen nr.18 të qytetit bregdetar, i cili ishte marrë me qira nga dy shtetase kolumbiane të dyja 24-vjeçe dhe ushtronin aktivitetin e prostitucionit. 

Policia thotë se organizatori kryesor i veprimtarisë kriminale është një 28-vjeçar me origjinë po nga Kolumbia i cili është shpallur në kërkim, ndërsa dy shtetaset kolumbiane janë arrestuar. 

Ndërkohë ky është rasti i dytë brenda pak kohësh në qytetin e Durrësit, Vetëm një ditë më parë u zbulua një tjetër banesë e përshtautr për të njëjtën veprimtari kriminale. 

Njoftimi i plotë i Policisë

Policia e Durrësit ka finalizuar operacionin e koduar “Storm 9”, i cili kishte në fokus goditjen e një grupi kriminal të përfshirë në trafikimin e grave me qëllim shfrytëzimin për prostitucion.

Sipas njoftimit zyrtar, në kuadër të këtij operacioni është shpallur në kërkim shtetasi D. G., 28 vjeç, me origjinë nga Kolumbia, i dyshuar si organizatori kryesor i veprimtarisë kriminale. Ai akuzohet për “Trafikimin e personave të rritur” dhe “Shfrytëzimin e prostitucionit”.

Gjithashtu, janë arrestuar në flagrancë dy shtetase kolumbiane, M. A. dhe Y. C., të dyja 24 vjeçe, të cilat kishin marrë me qira një apartament në lagjen nr. 18 të Durrësit, ku dyshohet se ushtronin prostitucion dhe shpërndanin lëndë narkotike. Ato akuzohen për “Prostitucion”, “Përshtatje e ambienteve për prostitucion” dhe “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”.

Policia ka nisur procedim penal edhe për pronarin e apartamentit, shtetasin V. R., 45 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Moskallëzimi i krimit”. Po ashtu, janë proceduar penalisht tre shtetas të tjerë, M. S., E. B. dhe A. H., për veprën penale “Prostitucioni”.

Gjatë kontrollit në apartamentin e përdorur për veprimtarinë e paligjshme, u sekuestruan një sasi lënde narkotike e dyshuar si cannabis sativa, një shumë parash e dyshuar si e përfituar nga prostitucioni, pesë celularë dhe pasaportat e dy shtetaseve të arrestuara.

Policia vijon punën për kapjen e shtetasit D. G. dhe për dokumentimin e plotë të rrjetit kriminal. Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprime të mëtejshme.

Të fundit