Flash News

E-TJERA

Berisha kërkon të ndihmohet Ukraina: Të çojmë fishekë dhe municione. Balla e sulmon: Nuk duhet të jesh në sallë

Berisha kërkon të ndihmohet Ukraina: Të çojmë

Ish-kryeministri Sali Berisha ka folur në Kuvend edhe për situatën në Ukrainë, duke shprehur solidaritetin popullit ukrainas, ndërsa vuri theksin te nevoja për ndihmë që ka Kievi pasi rrezikohet të pushtohet nga Rusia.

Berisha kërkoi që Shqipëria t’i vijë në ndihmë Ukrainës me mjete luftarake si fishekë dhe municione, sikurse kanë bërë shtete të tjera. Ai shtoi se Kuvendi nuk mund të heshtë për këtë çështje, duke theksuar se ‘Ballkani i Hapur’ është hegjemoni serbe dhe influencë ruse.

“A po kërcënohet për puthim një vend sovran? Çfarë është kjo marko-qeveri dhe ky narko-parlament që nuk thotë një fjalë të vetme. A rrihet në këtë parlament apo jo më thoni mua? Jo nuk rrihet. Natyrisht, por jam këtu për t’i shprehur solidaritetin tim të plotë në emër të PD, kombit ukrainas, jam këtu për të ngritur zërin, për të ndihmuar Ukrainën që kërcënohet nga një barbari e Kremlinit.

Shqipëria duhet të bëjë gjithçka për të ndihmuar këtë vend. Të paktën fishekë dhe municione mund t’u dërgohen atyre, por argati i Beogradit jo më kot hesht dhe pengu i tij, natyrisht i paqenë, por ju zotërinj deputetë duhet të ngrini zërin se përfaqësoni PD jo Lul bravën.

Nuk mundet këtu të dominojë Beogradi. E kam ngritur dhjetëra herë ‘Ballkani i hapur’ është hegjemoni serbe dhe influencë ruse. Le të vijnë ata të dy njëherë këtu të japin llogari për këtë. Edhe kur mungojnë, mungojnë së bashku”, tha Berisha.

Pas kësaj deklarate ka reaguar kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla. Ky i fundit tha se Berisha nuk duhet të ishte në sallë, pasi është shpallur ‘non grata’. Balla tha se qëndrimi i Shqipërisë referuar situatës në Ukrainë është i koordinuar me NATO-n, ndërsa sulmoi Berishën për çështjen ‘Gërdeci’.

“I vetmi deputet ‘non grata’ nga SHBA duhet të mos ishte në këtë sallë. Sa i përket çështjes së fishekëve gjuha shkon ku dhemb dhëmbi, ne shqiptarët e dimë sesi u shitën fishekët që shkaktuan edhe tragjedinë e Gërdecit.

Qëndrimi i Shqipërisë është i koordinuar me SHBA-në. Prezenca e Shqipërisë në kuadër të NATO-s do të jetë gjithmonë si një aleat i besueshëm. Pozicioni i Shqipërisë është i qartë”, tha Balla.

 

Të fundit