Flash News

E-TJERA

"Të presim arsyetimin", Celibashi komenton vendimin e Kushtetueses për hapjen 100% të listave

"Të presim arsyetimin", Celibashi komenton vendimin e

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për hapjen 100% të listave, duke shfuqizuar përcaktimin ligjor të shpërndarjes së mandateve për deputetë sipas herësit.

Në një prononcim për mediat Celibashi thotë se duhet të pritet ende për arsyetimet e këtij vendimi dhe futjen në fuqi të tij.

“Do duhet të shikojmë arsyetimin e vendimit dhe ajo çfarë vlen më shumë është që duhet të presim kur ky vendim të hyjë në fuqi”, tha Celibashi.

Ai ka bërë shpërndarjen zyrtare të mandateve për deputetë në të gjitha qarqet. Ndërkohë që vendimi për shpalljen zyrtarisht të rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare të 25 Prillit do merret javën e ardhshme nga Komisioni Rregullator.

“Në kuptim të shpërndarjes së mandateve kjo konsiderohet e përfunduar. Do të duhet që formalisht Komisioni Rregullator të shpallë rezultatin në mënyrë përfundimtare zyrtarisht. Por në kuptim të shpërndarjes së mandateve, kush janë kandidatët fitues dhe numrit të votave që ka marrë çdo subjekt zgjedhor, nuk ndryshon asgjë. Kjo është përfundimtare”,  u shpreh ai.

Kodi Zgjedhor detyron KQZ që pas nxjerrjes së rezultatit përfundimtar, të rinumërojë të jo më pak se 10% të qendrave të votimit. Rezultatet verifikimit paszgjedhor mund të bëhen objekt i hetimit nëse dalin të dhëna dhe krijohen dyshime për kryerjen e veprave penale në zgjedhje.

“Nesë nuk do të kishim këto vonesa, mundet që gjatë këtij muaji ta kishim kryer këtë si procedurë. Mesa duket do mbetet për muajin shtator” tha Celibashi për gazetarët.

Të fundit