Flash News

E-TJERA

Të punosh nga shtëpia, tendenca që ka mbërritur tashmë edhe në Shqipëri

Të punosh nga shtëpia, tendenca që ka mbërritur tashmë
Foto Ilustruese

Në sektorin e shërbimeve, smart working do të vazhdojë edhe pas pandemisë. Sektori bankar po aplikon modelin e ri që është puna hibride, e cila pritet të jetë e ardhmja e smart working, pasi balancon të punuarit me angazhimet sociale të punonjësve. Në sektorin call center, punën në distancë po e zbatojnë më tepër kompanitë e mëdha që rritën investimet e infrastrukturës jashtë zyrave. Në IT, puna nga shtëpia po preferohet më tepër nga punonjësit në karrierë sesa të rinjtë 

Ardit Ago, me profesion inxhinier informatik, i punësuar prej 5 vitesh në një nga kompanitë më të mëdha të ofrimit të shërbimit IT për tregun e huaj, prej disa muajsh është duke punuar ‘remote’ (nga shtëpia). Arsyeja pse ai ka zgjedhur të vijojë punën nga shtëpia është për shkak të përfitimeve, si ulja e shpenzimeve dhe organizimi i kohës për të qëndruar më pranë familjes. Kompania ku ai është i punësuar vazhdon të zbatojë punën në distancë, e nisur që në periudhën e karantinës.

“Kam zgjedhur të vazhdoj të punoj nga shtëpia për të shmangur kostot e larta, që nga shpenzimet për karburantin e makinës, tarifa e parkimit, drekës jashtë, por edhe për të përmbushur sa më mirë angazhimet familjare. Një arsye tjetër e rëndësishme është për të shmangur harxhimin e kohës në trafik për vajtje-ardhjet nga shtëpia në punë.

Më rezulton që puna fleksibël ka përfitime të mëdha edhe për shëndetin mendor dhe fizik. Në sektorin IT është lehtësisht e zbatueshme, pasi ne jemi të familjarizuar me punën remote”, pohon Arditi, me përvojë 12-vjeçare pune në sektorin IT.

Modeli i ‘smart working’ (punës së zgjuar apo në distancë) që nisi zbatimin në muajt e karantinës, si domosdoshmëri për të vazhduar aktivitetin në pandemi, aktualisht për disa sipërmarrje të shërbimit do të vijojë edhe në ardhmen, pasi rezulton me përfitime, ndërsa për të tjerë konsiderohet tendencë kalimtare.

Nëse në periudhën e izolimit, smart working u konsiderua e ardhmja për sektorin call center, pamundësia për të kontrolluar produktivitetin e punonjësve dhe kryerja e investimeve për elementet e sigurisë, ndikuan që puna në distancë të mos vijojë të zbatohet nga të gjithë. Në anën tjetër, në disa banka ka nisur zbatimi i modelit të ri të punës fleksibël, që njihet ndryshe puna hibride (prani në zyrë të punonjësve 1, 2 apo 3 ditë në javë).

Puna hibride e bazuar te kombinimi i ditëve të punës nga zyra dhe në shtëpi ka rezultuar se rrit produktivitetin te punonjësit, pasi balancon të punuarin me angazhimet sociale. Sektori IT e pati lehtësisht të zbatueshme punën nga shtëpia në muajt e izolimit. Kompanitë IT në Shqipëri që kryejnë shërbim ndaj të tretëve ende vazhdojnë të lejojnë pa kufizim punën nga shtëpia, por rezulton që smart working, për këtë sektor po zbatohet më shumë nga punonjësit në karrierë mbi 5-vjeçare, ndërsa më të rinjtë preferojnë të paraqiten fizikisht në zyrë.

Tendenca 

Për t’u punësuar në sektorin call center, shumë nëna me fëmijë e kanë kusht të punuarit ‘remote’, pasi të punuarit nga shtëpia konsiderohet prej tyre mjaft e favorshme që të kujdesen për fëmijët.

“Çdo javë, ne zhvillojmë intervista për rekrutime të reja dhe vihet re se 20% e aplikuesve kanë kusht punësimi smart working. Kryesisht janë nënat me fëmijë, të cilat nuk përfundojnë procesin e rekrutimit nëse nuk plotësohet kushti i tyre për të punuar nga shtëpia. Për këtë grup punonjësish, siç janë nënat e reja, puna nga shtëpia konsiderohet më komode sesa nga zyra.

Te moshat e reja nuk është kusht punësimi. Për këtë kategori të punësuarish, dëshira më e madhe është të rriten në karrierë dhe kjo më tepër favorizohet nga puna nga zyra, pasi ka më tepër ndërveprim në punën në grup”, nënvizon administratori i Facile.it, Lorenc Goga.

‘Smart working’ në call center, më tepër kërkohet nga rrethet

Diego Pisa, nga Teleperfomanca, thotë se për momentin nuk ka një tendencë të ndryshme midis niveleve të kompanisë apo gjinisë së punonjësve për punën nga shtëpia. Sipas tij, dallimi është nëse punonjësit kanë apo jo kushte optimale për të punuar nga shtëpia.

“Në Tiranë, vullneti për të punuar nga shtëpia është më pak i fortë se në qytetet e vogla, ashtu siç shpesh nënat preferojnë të punojnë nga shtëpia, sepse mund të kombinojnë më lehtë jetën private me punën. Gjatë dy viteve të fundit, ne kemi krijuar shumë vende të reja pune, me staf që fillon menjëherë nga shtëpia, ndonjëherë edhe në qytete ku nuk operojmë. Është e qartë se për këta persona do të ishte e vështirë të ktheheshin në punë në zyrë.”

Puna në distancë, më pak e përdorur nga të rinjtë 

Moshat e reja e parapëlqejnë më pak punën nga shtëpia. Tendenca është e dukshme si në sektorin IT, edhe atë bankar. Edlira Nikaj, administratore e kompanisë IT, DotBalkans, thotë se për shkak të frikës nga infektimet vazhdojnë të zbatojnë punën remote, por të rinjtë e moshës nën 30 vjeç zgjedhin të paraqiten fizikisht në zyrë.

“Zbatimi i smart working është një çështje komplekse në Shqipëri. Për sektorin e IT-së, aktiviteti remote është lehtësisht i zbatueshëm, model që u provua me sukses në pandemi. Aktualisht për shkak të pandemisë, në kompaninë tonë është e lejuar puna në distancë, por vihet re se shumica e punonjësve, kryesisht të rinjtë, preferojnë më tepër të punojnë në zyrë.

Arsyeja është pasi për ta, puna është më ndërvepruese dhe zbavitëse në zyrë sesa në shtëpi. Më tepër preferojnë të punojnë nga shtëpia punonjësit e moshës mbi 30 vjeç, të cilët janë familjarë dhe u duhen të kujdesen për fëmijët apo familjen e tyre”.

E njëjta qasje konfirmohet edhe nga drejtoresha e burimeve njerëzore në Bankën Intesa Sanpaolo Albania, znj. Entela Zigori. “Kemi konkluduar që, pavarësisht se punën në distancë e kanë zgjedhur të gjithë si një mënyrë të re pune, grupmosha që do të donte ta zbatonte sa më pak është ajo nga 20 – 24 vjeç.

Është mese e qartë dhe e kuptueshme që këta punonjës, sapo kanë përfunduar studimet e tyre dhe i shohin ambientet e punës, si një vend ku do të mësojnë nga këndvështrimi praktik dhe ai i ndërveprimit profesional dhe social me kolegët e tjerë”.

Roden Pajaj, nga kompania ndërkombëtare Deloitte Albania dhe Deloitte CE South, tha se bazuar në rezultatet e vrojtimit të punonjësve të kompanisë dhe të rinjtë që kanë hyrë në tregun e punës, pak më shumë se gjysma e të rinjve pjesëmarrës (51.8%) do të donte të punonte në distancë vetëm një ose dy herë në javë, ndërsa 17.3% e tyre do të zgjidhte të ishte larg zyrës për më shumë se një javë në çdo muaj dhe vetëm 5.5% thanë se do të dëshironin të punonin plotësisht në distancë.

Shqipëria, a mund t’u ofrojë “smart working” të huajve

Tregu më i lirë i pasurive të paluajtshme në zonat periferike të qyteteve të mëdha urbane, si Nju Jorku, Çikago, Florida apo Londra ka nxitur migrimin masiv të atyre që punojnë remote. Një tjetër trend në Europë është edhe krijimi i zonave me ofrimin e shtëpive me qira më të lira se tregu europian për punonjësit smart working.

Sipas Ylli Sulës, drejtuesit të grupit mediatik Çelësi dhe indeksit Keydata, në Shqipëri nuk vihet re një tendencë e tillë, pasi ende nuk është krijuar tregu i blerjes apo marrjes me qira të pasurive të paluajtshme për ata persona që punojnë në distancë.

“Tek ne ende nuk është krijuar tregu i blerjes apo dhënies me qira të apartamenteve për shtetas të huaj që e shohin më të leverdishme të jetojnë në Shqipëri gjatë punës të tyre online. Shqipëria mbetet e paintegruar për zhvillimin e këtij tregu, pasi mungojnë rregullat për administrimin e shërbimeve të përbashkëta. Në çdo vend të Europës janë të qarta disa standarde, që nga se kush është administratori i pallatit ku jetojnë, sa do të paguajnë apo çfarë shërbimesh do t’i ofrohen.

Rregullat e bashkëpronësisë janë një problem për ambientet e përbashkëta në vendin tonë, pasi nuk ka një punonjës të veçantë të mirëmbajë ashensorin, ndriçimin, higjienën e me radhë. Problemet e bashkëpronësisë nuk mund të zgjidhen me vendosjen e administratorëve kundrejt pagesës për 1,000 lekë/muaj për familje”.

Drejtuesi i indeksit Keydata nuk parashikon që në tregun e pasurive të paluajtshme të ketë lëvizje të kërkesës nga ata që punojnë në distancë, pasi sipas tij, nga sipërmarrjet ky model është konsideruar kalimtar. “Për shumë ndërmarrje, puna nga shtëpia shihet si një trend që funksionoi për një moment të caktuar. Nga ana tjetër, shumë të punësuar pranojnë se të punuarit nga shtëpia ndërthuri oraret e tyre të punës me jetën personale, duke mos ndatë limitet. Mosvendosja e kufirit mes punës dhe jetës personale rriti ankthin te të punësuarit”./ Monitor

Të fundit