Flash News

E-TJERA

Të shtënat pranë gjykatës në Gjermani, dyshohet për vëllanë dhe motrën e boksierit të vrarë

Të shtënat pranë gjykatës në Gjermani, dyshohet

Vëllai i boksierit të vrarë, Besar Nimani, Berati, ka mohuar çdo përfshirje në incidentin e së mërkurës pranë gjykatës së Bielefeldit, ku mbetën të plagosur katër persona.

Në një deklaratë për gazetën gjermane "Bild", ai tha se familja e tij ka jetuar në ankth që nga marsi i vitit të kaluar, kur Besari u ekzekutua me 16 plumba.

Megjithatë, disa pjesëmarrës në seancën gjyqësore vunë re se Berati dhe motra e tij u larguan nga salla para përfundimit të procesit. Dëshmitarët në vendngjarje raportojnë se ata janë parë duke u larguar me një makinë të zezë, menjëherë pas të shtënave. Për këtë arsye, autoritetet gjermane kanë nisur hetimet ndaj tyre për përfshirje të mundshme në plagosjen e katër personave, raporton WDR.

Nga ana tjetër, avokati i tij, Peter Wuller, ka theksuar se klienti i tij mohon çdo përfshirje dhe është i gatshëm të dorëzohet në ditët e ardhshme.

"Kam zhvilluar disa biseda me z. Nimani menjëherë pas incidentit. Ai më kërkoi ta përfaqësoja ligjërisht. Situata është ende e paqartë. Pasi të kem një panoramë të plotë të rastit dhe të konsultohem me prokurorin, klienti im do të paraqitet në polici dhe do të dorëzohet", tha avokati.

Ai shtoi se Berati e siguron për pafajësinë e tij dhe pretendon se nuk ka asnjë lidhje me të shtënat jashtë gjykatës. Hetimet mbi ngjarjen vijojnë.

Të fundit