Flash News

E-TJERA

Temperaturat përvëluese në vend/ ISHP apel qytetarëve: Kujdes gjatë orëve të mesditës

Temperaturat përvëluese në vend/ ISHP apel qytetarëve:
Foto ilustruese

Vendi ynë po përballet me temperatura të larta dhe vapë përvëluese gjatë ditëve të fundit. Instituti i Shëndetit Publik këshillon qytetarët të bëjnë kujdes gjatë orëve të mesditës për shkak të goditjes nga i nxehti.

Drejtoresha e ISHP Eugena Tomini, në një prononcim për Klan News, është shprehur se të sëmurët kronikë duhet të ndjekin rekomandimet e mjekut të familjes dhe të specialistit, për të eliminuar sa më shumë daljet në këtë orar të pikut.

“Është shumë e rëndësishme që të kujdesemi për të moshuarit, për fëmijët e vegjël, për gratë shtatzëna. Të eliminojmë daljet në orët e pikut, nga ora 11:00 deri në orën 18:00. Sigurisht, të gjithë të sëmurët kronikë duhet të ndjekin rekomandimet e mjekut të familjes dhe të specialistit, për të eliminuar sa më shumë daljet në këtë orar të pikut. Të vishemi me rroba në ngjyrë të çelët, pra të pambukta dhe sa më të lehta. Të pimë ujë edhe nëse nuk kemi etje, sa më shumë lëngje gjatë kësaj stine”, është shprehur Tomini.

ISHP rekomandon të konsumohen ushqime të freskëta, fruta e perime, për t’i bërë ballë të nxehtit, ku temperaturat në diell arrijnë deri në 38-40 gradë Celsius.

Të fundit