Flash News

E-TJERA

Tenderat e AKSHI-t në sitën e SPAK, shtyhet vendimi për Mirlinda Karçanajn

Tenderat e AKSHI-t në sitën e SPAK, shtyhet vendimi për Mirlinda
Është shtyrë shpallja e vendimit për të pandehurit e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) në Apelin e GJKKO-së, lidhur me masën e sigurisë.

Seanca u zhvillua këtë të martë, ndërsa trupa gjykuese vendosi që vendimi të shpallet më 5 shkurt.

Ish-drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, u përfaqësua në seancë nga avokati i saj mbrojtës. Të pranishëm ishin edhe prokurorët e SPAK, Bledar Maksuti dhe Altin Dumani, të cilët kërkuan që të lihet në fuqi masa e mëparshme e sigurisë për të pandehurit.

Sipas prokurorisë, provat e paraqitura në Apel lidhen me dëshmi të reja të administruara gjatë kësaj periudhe nga hetuesit e SPAK, të cilat, sipas tyre, përforcojnë dyshimet ndaj personave nën hetim.

Karçanaj po hetohet në kuadër të një procedimi për 12 procedura tenderuese me vlera të konsiderueshme, që lidhen me mirëmbajtjen e serverave të institucioneve shtetërore. Nga hetimet paraprake dyshohet se kriteret e disa tenderave janë përshtatur në favor të kompanive të caktuara, duke ndikuar në përfitimin e kontratave publike.

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka qenë në qendër të hetimeve edhe më herët. Një nga ish-zyrtarët e saj, Daniel Shima, u raportua më parë i zhdukur për disa orë në rrethana të paqarta, një episod që u hetua nga autoritetet.

Ndërkohë, në fokus të hetimeve janë edhe kontratat e lidhura me kompani private që kanë përfituar tendera nga AKSHI, çështje që vijon të hetohet nga SPAK.

Të fundit