Flash News

E-TJERA

“The Independent” godet Ramën: “Diella” rezultoi të mos ishte plotësisht artificiale

“The Independent” godet Ramën: “Diella” rezultoi

Padia e aktores së njohur Anila Bisha ndaj qeverisë shqiptare për përdorimin e imazhit dhe zërit të saj në krijimin e “Diellës” ka marrë jehonë ndërkombëtare, duke tërhequr vëmendjen e medias prestigjioze britanike “The Independent”.

E përditshmja britanike ka hedhur dritë mbi atë që e cilëson si një kontradiktë në prezantimin e bujshëm të “Diellës” nga kryeministri Edi Rama, i cili e shpalli atë si ministren e parë të Inteligjencës Artificiale në botë — një inovacion që, sipas tij, do të ndihmonte në luftën kundër korrupsionit në prokurimet publike.

Por sipas “The Independent”, ministrja e parë e inteligjencës artificiale “rezultoi të mos ishte plotësisht artificiale, të paktën jo për sa i përket fytyrës dhe zërit të saj”.

Duke cituar aktoren Anila Bisha, media britanike shkruan se ajo “kurrë nuk e kishte imagjinuar që qeveria do ta përdorte imazhin e saj në mënyrë kaq të spikatur” dhe se kërkon heqjen e menjëhershme të fytyrës dhe zërit të saj nga e ashtuquajtura ministre virtuale me emrin “Diella”.

“Ky është veprimi i parë ligjor për të parandaluar abuzimin me imazhin e Anilës”, është shprehur avokati i saj, Aranit Roshi.

Qeveria shqiptare, sipas artikullit, nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment nga “The Independent”.

Në shkrim theksohet se Bisha ka pranuar se ka nënshkruar një kontratë që lejonte përdorimin e imazhit dhe zërit të saj për platformën qeveritare e-Albania, e cila ofron një gamë të gjerë shërbimesh publike. Megjithatë, ajo pretendon se nuk ishte informuar asnjëherë për ndonjë plan që këto elemente të përdoreshin për krijimin e një “ministreje” të Inteligjencës Artificiale.

Aktorja shprehet se përdorimi aktual i imazhit të saj përbën, sipas saj, një deklaratë politike, përtej qëllimit fillestar të marrëveshjes.

Bisha ka deklaruar se ka tentuar disa herë të kontaktojë qeverinë që prej momentit kur “Diella” u prezantua si pjesë e kabinetit qeveritar në shtatorin e kaluar, por pa marrë përgjigje. Sipas saj, vendimi për të ndjekur rrugën ligjore erdhi pas mungesës së një reagimi institucional dhe refuzimit për një takim sqarues.

 

 

Të fundit