Flash News

E-TJERA

“The Sun”: Shqiptarët mes grupeve më të mëdha të të huajve në burgjet britanike

“The Sun”: Shqiptarët mes grupeve më të mëdha

Sipas të dhënave të publikuara nga The Sun on Sunday, mesatarisht pesë shtetas shqiptarë dënohen dhe dërgohen në burg në Mbretërinë e Bashkuar çdo ditë.

Sipas një hetimi të gazetës britanike, bazuar në shifrat e Ministrisë së Drejtësisë në UK, 1,865 persona nga Shqipëria janë dërguar në burg gjatë vitit deri në shtator të vitit të kaluar.

Raporti thekson se shtetasit shqiptarë përbëjnë vazhdimisht një nga grupet më të mëdha të të huajve në burgjet britanike, duke zënë rreth 9% të numrit total prej 75,289 të burgosurish të huaj.

Analiza e veçantë e The Sun on Sunday tregon gjithashtu se në tre muajt e parë të këtij viti, 58 shtetas shqiptarë janë dënuar me të paktën një vit burgim, për vepra që përfshijnë trafik droge dhe kontrabandë personash.

Sipas ligjeve aktuale në Mbretërinë e Bashkuar, të gjithë të huajt që marrin dënime prej 12 muajsh ose më shumë i nënshtrohen automatikisht urdhrave të dëbimit pasi përfundojnë procesin gjyqësor.

Ndërkohë, qeveria britanike ka njoftuar ndryshime të reja ligjore që synojnë deportimin më të hershëm të të burgosurve të huaj, duke ulur kohën e qëndrimit në burg para dëbimit nga gjysma e dënimit aktual në një të tretën.

Që nga zgjedhjet e vitit 2024, autoritetet britanike thonë se më shumë se 58,500 migrantë të paligjshëm dhe kriminelë të huaj janë larguar ose deportuar nga vendi.

Ministria e Drejtësisë në Mbretërinë e Bashkuar deklaroi se qeveria ka intensifikuar procesin e dëbimeve, duke theksuar se vetëm që nga korriku 2024 janë larguar mbi 8,700 shtetas të huaj, një rritje prej 32% krahasuar me periudhën 19-mujore paraardhëse.

Të fundit