Flash News

E-TJERA

Thellohen çarjet në koalicionin bullgar, a rrezikohet integrimi evropian i Shqipërisë dhe RMV

Thellohen çarjet në koalicionin bullgar, a rrezikohet integrimi

Bullgaria ende po e mban të mbyllur rrugën e Shqipërisë dhe RMV-së drejt integrimit evropian. Vetoja e vendosur ndaj Maqedonisë së Veriut, po mban të ndrydhur edhe Shqipërinë e cila është pjesë e procesit të përbashkët me Shkupin, për çeljen e negociatave.

Por, situata politike në Sofje nuk duket të jetë edhe aq optimiste, pavarësisht se zyrtarët bullgarë kanë dhënë shpresa për një zgjidhje të mundshme të ngërçit mes Bullgarisë dhe RMV.

Referuar Balkan Insight, është vënë re një krisje mes kryeministrit bullgar Kiril Petkov dhe dy partnerëve të tij. Kanë kaluar vetëm 6 muaj që kur Petkov mori postin e kryeministrit, dhe raporti me dy partnerët e tij vijon të bëhet edhe më i vështirë.

Kjo vjen në një kohë kur koalicioni duhet të bëhet bashkë për të marrë vendime të rëndësishme për çështje kyçe siç janë: heqja e vetos këtë vit në bisedimet e pranimit në Bashkimin Evropian me Maqedoninë e Veriut; nisja e reformës në drejtësi me shkarkimin e kryeprokurorit Ivan Geshev; bashkëpunimi me Prokurorinë Evropiane; dhe duke u përballur me ndërhyrjen e supozuar ruse.

Analistët bullgarë thanë për BIRN se mbetet e paqartë nëse mund të flasim për një destabilizim të mundshëm, pasi koalicioni prej fillimit nuk ka qenë stabil. Ata janë shprehur se koalicioni duhet të shmangë çështjet dhe temat të cilat mund të shkaktojnë tensione mes tyre.

Thellimi i çarjeve në koalicionin bullgar e vështirëson akoma më shumë rrugën e Shqipërisë Maqedonisë së Veriut, drejt çeljes së negociatave me Bashkimin Evropian. Liderët e bllokut i kanë bërë thirrje Sofjes dhe Shkupit të gjejnë rrugën e kompromisit për të arritur një zgjidhje dhe për të zhbllokuar integrimi.

Ndërsa kryeministri Rama deklaroi se nëse Bullgaria nuk heq veton, atëherë Tirana do të kërkojë ndarjen nga RMV nga procesi i çeljes së negociatave.

Të fundit