Flash News

E-TJERA

Thyen arrestin, vjedh makinë dhe arratiset si në film, kapet hajduti serial nga Tirana!

Thyen arrestin, vjedh makinë dhe arratiset si në film, kapet hajduti

Një 36-vjeçar i njohur për precedentë penalë në fushën e vjedhjes është arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi theu masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe kreu një tjetër vjedhje, duke tentuar më pas të arratisej.

Në pranga ka përfunduar Drilon Çuni, banues në Tiranë, i dënuar më herët për të njëjtën vepër penale dhe që ndodhej aktualisht në “arrest shtëpie” për vjedhje.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, Çuni ka dalë nga banesa pa autorizim dhe ka vjedhur një automjet në rrugën “Siri Kodra”. Pas sinjalit për ndalim nga shërbimet e Policisë Rrugore, ai nuk iu bind urdhrit të uniformave blu dhe vijoi lëvizjen me shpejtësi në drejtim të aksit “Rinas-Tiranë”.

Policia organizoi ndjekjen në kohë reale dhe, pas disa minutash, 36-vjeçari braktisi automjetin e vjedhur dhe tentoi të largohej në këmbë. Ai u kap menjëherë nga patrullat, duke i dhënë fund arratisë së dështuar.

“Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Shtetit.

Drilon Çuni do të përballet tashmë me akuza të reja për shkelje të masës së sigurisë dhe vjedhje, ndërsa pritet të dalë para gjykatës për caktimin e një mase të re sigurie.

Të fundit