Flash News

E-TJERA

Tifozët Kuq e Zi nuk shkojnë në ndeshje: FSHF po i shet biletat për pazare

Tifozët Kuq e Zi nuk shkojnë në ndeshje: FSHF po i shet biletat

Për herë të dytë në 21 vite, “Tifozat Kuq e Zi” nuk do të jenë të pranishëm në stadium për të mbështetur Kombëtaren shqiptare. Në një reagim të fortë në rrjetet sociale, grupimi i njohur i tifozëve ka njoftuar bojkotimin e ndeshjes së 7 qershorit, duke akuzuar Federatën Shqiptare të Futbollit për një sistem të manipuluar ndarjeje të biletave, që favorizon agjencitë turistike dhe tregun e zi.

"Herën e parë nuk na lanë shkijet më 14 tetor 2014. Këtë herë, nuk na lejojnë miqtë e tyre – FSHF-ja, dhe pikërisht në shtëpinë tonë", thuhet në reagimin e TKZ-së.

Tifozët shprehen se nuk kanë marrë pjesë në "shortin" e organizuar për biletat, të cilin e cilësojnë si të rremë dhe të ndërtuar për të garantuar përfitime për palë të treta, duke përjashtuar mbështetësit e vërtetë të Kombëtares. Ata akuzojnë FSHF-në për hipokrizi dhe për një politikë përjashtuese që i ka kthyer ndeshjet në evente luksi, ku vetëm të pasurit kanë akses.

"Çmimet variojnë nga 150 deri në 1000 euro. Është e paimagjinueshme që një familje shqiptare mesatare të duhet të shpenzojë rreth 600 euro për një ndeshje – aq sa kushton një javë pushime në qershor", vijon deklarata.

Sipas TKZ-së, në stadium do të jenë të pranishëm vetëm agjencitë e udhëtimeve, politikanët dhe të pasurit, ndërsa "besnikët e përjetshëm" janë lënë jashtë.

"Le të fitojë njëherë Kombëtarja", përmbyllet reagimi i tyre, në një ton ironik dhe të zhgënjyer.

Të fundit