Flash News

E-TJERA

Tomini: Vaksina kundër lisë së majmunëve është përdorur para vitit 1981, ka efektivitet në nivelin e 85%

Tomini: Vaksina kundër lisë së majmunëve është

Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Eugena Tomini thotë se nuk ka një vaksinë të prodhuar specifikisht për linë e majmunëve, por mund të përdoret vaksina ndaj variolës apo lisë së zezë e përdorur para vitit 1981.

E ftuar në emisionin “Sot” në “Euronews Albania”, Tomini u shpreh se kjo vaksinë shërben si mbrojtje ndaj kësaj sëmundjeje, për ata persona të cilët kanë kontakte të afërta dhe  efektiviteti i saj është në nivelin e 85%.

“Nëse të gjithë kemi një historik të vaksinave individuale, apo edhe të bashkëmoshatarëve tanë, të gjithë individët, para vitit 1981 kanë një shenjë në krah ose në pjesën e sipërme të kofshës, që ka të bëjë me variolën e dikurshme apo linë e zezë të ashtuquajtur në atë kohë.

Kjo vaksinë mbron në nivelin 85%, deri në mbi 85% nga lija e majmunit. Kjo është e provuar jo vetëm aktualisht dhe ka marrë autorizimin nga EMA apo OBSH për t’u aplikuar në rastet e kontakteve të ngushta”, tha Tomini.

Dje, Komiteti i Ekspertëve të Imunizimit ka rekomanduar vaksinën e lisë për kontaktet e afërt dhe personelin shëndetësor, në rast të shfaqjes së rasteve me linë e majmunit.

Lia e majmunëve është një virus që mund të shkaktojë ethe dhe dhimbje dhe, kryesisht, shfaqet me puçrra të fryra të kuqe.

Virusi nuk transmetohet lehtë sikurse virusi SARS-CoV-2, që ka shkaktuar pandeminë globale COVID-19 dhe shumica e njerëzve shërohen plotësisht për dy deri në katër javë.

Ekspertët besojnë se lia e majmunit përhapet nga kontakti i ngushtë - lëkurë me lëkurë - me dikë që ka skuqje aktive.

 

Të fundit