Flash News

E-TJERA

"Toyota Yaris", Gjykata e Tiranës pushon çështjen për 4 nga 6 të akuzuarit

"Toyota Yaris", Gjykata e Tiranës pushon çështjen
Foto Ilustruese/ Çështja "Toyota Yaris"

Gjykata e Tiranës ka pushuar akuzën për 4 nga 6 personat e dyshuar për cështjen “Toyota Yaris”.

Mësohet se, akuza është pushuar për Alfred Vladi, Alban Mollaymeri, Edi Lika dhe Klevis Cani, si të dyshuar për transportin e 3,4 milionë eurove në dy makina ‘Toyota Yaris’, në qershor 2018.

Të vetmit që do të mbajnë përgjegjësi, duke u dërguar për gjykim janë Ervis Vladi, për akuzën e "mosdeklarimit të të hollave në kufi", dhe Agim Çeka për "armëmbajtje pa leje", e cila iu gjet në banesën e tij momentin e arrestimit.

Akuza fillestare në çështjen e bujshme të “Toyota Yaris” ka qenë “pastrim parash në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”.

Kujtojmë se, në fillimet e kësaj çështje, opozita akuzoi si të përfshirë kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Ndërsa përmes një fjalimi në Kuvend, pasi u akuzua se kishte dekonspiruar operacionin, Basha deklaroi se shuma prej 3.4 milionë eurove e zbuluar në dy makinat ‘Toyota Yaris’ i përkiste kreut te grupit socialist.

Taulant Balla e paditi Lulzim Bashën për shpifje menjëherë pas deklaratës, ndërkaq gjykata vendosi në favor të tij duke dënuar kryedemokratin me 50 mijë lekë gjobë.

Të fundit