Flash News

E-TJERA

Trafikuan 2.4 ton dr*gë drejt Evropës, Apeli i Posaçëm lë në burg 8 anëtarët, mes tyre dhe djali i ish-deputetit të PS

Trafikuan 2.4 ton dr*gë drejt Evropës, Apeli i Posaçëm

Apeli i Posaçëm ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për tetë pjesëtarë të grupit Rraja, të arrestuar me urdhër të SPAK në dhjetor, mes të cilëve edhe djali i ish-deputetit të Partisë Socialiste, Rexhep Rraja.

Në pranga ndodhen Islam Sefa, Jani Çavo, Aldo Gjini, Marvin Bushati, Përparim Rraja, Gazmir Rraja, Rexhep Rraja dhe Zamir Aliaj.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, ata dyshohet se kanë qenë pjesë e grupeve kriminale të përfshira në trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike, nga Shqipëria drejt Malit të Zi me destinacion Gjermaninë, nga Shqipëria drejt Turqisë, si edhe nga vendet e Amerikës së Jugut drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

SPAK ka zbardhur tre episode të trafikut të drogës gjatë viteve 2020–2021.

Më 3 nëntor 2020, autoritetet malazeze sekuestruan 1 722 kg marijuanë të nisur nga Shqipëria drejt Gjermanisë. Më 23 nëntor 2020, në Holandë u sekuestruan 475 kg kokainë të ardhur nga Ekuadori, ndërsa më 26 janar 2021, në Turqi u sekuestruan 236 kg marijuanë të nisur nga Shqipëria.

Hetimet për këtë dosje vijojnë, ndërsa SPAK po dokumenton plotësisht aktivitetin e grupeve të dyshuara kriminale.

Të fundit