Flash News

E-TJERA

Tragjedi në SHBA: Rrëzohet avioni mjekësor, humbin jetën 6 persona, mes tyre një vajzë 12-vjeçare

Tragjedi në SHBA: Rrëzohet avioni mjekësor, humbin jetën 6

Një avion mjekësor me gjashtë persona në bord është rrëzuar pranë qendrës tregtare Roosevelt në Filadelfia, duke shkaktuar një tragjedi të rëndë. Viktimat janë të gjitha shtetas meksikanë, përfshirë një vajzë 12-vjeçare, e cila po kthehej në shtëpi pas marrjes së kujdesit mjekësor në SHBA.

Sipas Administratës Federale të Aviacionit (FAA), avioni i kompanisë Jet Rescue Air Ambulance u ngrit nga Aeroporti Verilindor i Filadelfias rreth orës 18:30 (lokale) dhe u rrëzua vetëm 6.4 kilometra larg. Në bord ndodheshin pacientja 12-vjeçare, nëna e saj, piloti, bashkëpiloti, një mjek dhe një ndihmës mjek.

"Ajo luftoi shumë për të mbijetuar, dhe për fat të keq, kjo tragjedi ndodhi gjatë rrugës për në shtëpi", tha Shai Gold, zëdhënës i kompanisë ajrore për NBC.

Në fillim, FAA raportoi se në bord ishin vetëm dy persona, por më pas konfirmoi numrin e saktë të viktimave. Avioni ishte nisur drejt Aeroportit Kombëtar Springfield-Branson në Misuri, por nuk arriti kurrë në destinacionin e tij.

Kjo ngjarje e rëndë vjen vetëm dy ditë pas një tjetër tragjedie ajrore në SHBA, ku një avion me 64 persona në bord u përplas me një helikopter ushtarak në Uashington DC, duke shkaktuar humbjen e jetëve të të gjithë pasagjerëve.

Autoritetet po hetojnë shkaqet e aksidentit tragjik në Filadelfia.

Të fundit