Flash News

E-TJERA

Tragjedi në ujërat greke, humbin jetën 15 emigrantë

Tragjedi në ujërat greke, humbin jetën 15 emigrantë

15 persona humbën jetën të martën në mbrëmje, pasi një anije e Rojës Bregdetare Greke u përplas me një motoskaf që po transportonte emigrantë në det, pranë ishullit të Kiosit.

Trupat e 14 personave, 11 burra dhe tre gra, janë nxjerrë nga deti, ka bërë të ditur roja bregdetare, ndërsa 25 emigrantë të tjerë, përfshirë rreth 11 fëmijë, janë shpëtuar dhe janë transportuar në një spital në Kios.

Gjithashtu, dy efektivë të rojes bregdetare u raportuan me lëndime të lehta. Ende nuk dihet numri i saktë i personave që ndodheshin në motoskaf në momentin e aksidentit, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit për personat e zhdukur vijuan edhe të mërkurën.

Në operacion u angazhuan katër anije patrulluese, dy helikopterë dhe zhytës, me kërkime që nisën gjatë natës dhe vazhduan deri në orët e para të mëngjesit. Aktualisht, një helikopter dhe pesë anije patrullimi mbeten në terren.

Në një deklaratë zyrtare, Roja Bregdetare Greke bëri të ditur se një nga anijet e saj konstatoi një gomone që po lëvizte drejt Kiosit pa drita navigimi. Pavarësisht sinjaleve zanore dhe vizuale për ndalim, mjetit nuk iu bind urdhrave.

Sipas deklaratës, drejtuesi i motoskafit ndryshoi papritur drejtimin dhe u përplas me anën e djathtë të anijes patrulluese, çka bëri që mjeti me emigrantë të përmbysej dhe të fundosej për shkak të forcës së përplasjes.

Të fundit