Flash News

E-TJERA

Shkon në 279 numri i viktimave nga rrëzimi i avionit të Air India në Ahmedabad

Shkon në 279 numri i viktimave nga rrëzimi i avionit të Air India

Një nga katastrofat më të rënda ajrore të dy dekadave të fundit ka tronditur Indinë dhe botën. Numri i viktimave nga rrëzimi i avionit Boeing 787 të kompanisë “Air India” është rritur në 279, konfirmuan sot autoritetet indiane.

Avioni u rrëzua më pak se një minutë pas ngritjes nga aeroporti i Ahmedabad, në Indinë veriperëndimore, me destinacion Londrën. Sipas burimeve policore, të gjitha trupat ose mbetjet njerëzore janë transportuar në spitalin e qytetit, ndërsa autoritetet janë ende duke punuar për identifikimin e viktimave përmes analizave të ADN-së.

Fluturimi 171 i Air India u ngrit në orën 13:19 me orën lokale, por disa sekonda më pas, pilotët lëshuan një sinjal alarmi për probleme teknike. Avioni humbi lartësinë dhe u përplas në një zonë të banuar afër aeroportit, duke shkaktuar një shpërthim të fuqishëm në një kompleks që strehonte mjekë, studentë dhe familjarët e tyre.

Në bord ndodheshin gjithsej 230 pasagjerë – 169 indianë, 53 britanikë, 7 portugezë dhe 1 kanadez – si dhe 12 anëtarë të ekuipazhit. Mrekullisht, vetëm një pasagjer, një britanik me origjinë indiane i ulur në pjesën e përparme të avionit, mbijetoi dhe ndodhet në spital me plagë të rënda.

Ministri i Brendshëm i Indisë, Amit Shah, deklaroi se raporti përfundimtar i hetimeve nuk do të bëhet publik derisa të përfundojnë testet e ADN-së dhe të identifikohen të gjitha viktimat.

Ndërkohë, ekipet e kërkim-shpëtimit kanë gjetur njërën nga dy kutitë e zeza të avionit – regjistruesin e të dhënave të fluturimit – dhe vijojnë kërkimet për regjistruesin e zërit në kabinën e pilotëve, i cili pritet të ndihmojë në zbardhjen e plotë të shkaqeve të tragjedisë.

Të fundit