Flash News

E-TJERA

Tragjedia e Otrantos/ Si i manipuloi hetimet pala italiane. Anija “Sibila” braktisi gratë dhe fëmijët shqiptarë në det të hapur

Tragjedia e Otrantos/ Si i manipuloi hetimet pala italiane. Anija

Më çnjerëzorja në gjithë këtë histori është fakti se pas pas incidentit korveta “Sibila” u largua duke i lënë njerëzit të mbyteshin.

Anija italiane u rikthye vetëm pas gjysëm ore, por koha kishte qenë e mjaftueshme që dhjetëra burra, gra e fëmijë të mbyteshin.

“Afër meje ishte një vajzë nga fshatrat e Fierit që më kërkoi ndihmë dhe e kam tërhequr deri te anija italiane që u kthye pas 30 minutash se donte të na linte. Pashë trupa që kishin vdekur. Kishin pirë ujë. Ishin të fryrë“, u shpreh Krenari.

Edhe pasi anija është kthyer, trajtimi i ekuipazhit ndaj shqiptarëve ka qenë mizor. Madje, ata kanë kërcënuar emigrantët që guxuan t’i akuzonin për shkaktimin e atij krimi kundër fëmijëve të pambrojtur.

“Pas gjysmë ore erdhi sërish “Sibila”, na ndau në dy grupe. 23 në një korridor, na solli një çaj dhe njëri nga shokët tanë i tha çfarë bërë o kriminel na vrave: “Rri urtë” i tha se ju hodha edhe ju në det. Ishte një kriminel i betuar ndaj shqiptarëve”.

Kush nuk do të drithërohej vetëm duke lexuar emrat dhe ditëlindjet e këtyre ëndërrimtarëve që po përpiqeshin të largoheshin nga vendi, pas anarkisë që e kishte përfshirë nga falementimi i skemave piramidale.

Trupat e të mbyturve u nxorën 8 muaj më vonë, nga 823 metra thellësi, pas një operacioni katër ditor.

Brenda anijes “Kateri i Radës” u gjendën 57 trupa, kryesisht gra e fëmijë, të cilët gjatë momentit fatal ndodheshin të kyçura në ambientet e brendshme, pa asnjë mundësi shpëtimi.

Përveçse një proces i dhimbshëm, familjarët akuzojnë se edhe kur është nxjerrë anija me trupat e pajetë ka patur tentativa për manipulim nga ana e italianëve, pasi donin sa më pak viktima.

Në këtë ceremoni nuk ishte asnjë përfaqësues apo zyrtar i palës italiane, por vetëm një rresht i gjatë me rroba dhe sende personale, ku familjarët shkuan një nga një për të identifikuar të dashurit e zemrës.

“Ata e bënin kastile kur bënin filmime, por unë e dija ku ishte familja ime, te komanda brenda, se bënin kastile filmime dhe nuk dukej familja ime dhe i thashë: Do të marr ty si te filmi, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur,” isha shumë i revoltuar”.

Procesi i verifikimit të trupave ka qenë një moment dramatik për familjarët. Ata rrëfejnë se trupat nuk ishin prishur fare dhe ishin lehtësisht të identifikueshëm, përveç fëmijëve të mitur.

Krenari ende nuk ka mundur ta harrojë pamjen e vogëlushes së tij, e cila qëndroi në fund të detit më shumë se sa qëndroi në jetë. Por u deshën edhe 6 muaj të tjerë që trupat e tyre të pajetë të vinin të preheshin në tokën e tyre, në vitin 1998.

Së bashku me “Katerin e Radës” dolën në sipërfaqe edhe dy prova të forta: dy gropa të shkaktuara nga “Sibila” që ishin mohuar nga autoritetet italiane, por çdo dëshmitar kishte këmbëngulur se ishin goditur.

Ky është memoriali i viktimave të pafajshme që nuk i shkaktoi një luftë, por justifikimi i një marrëveshje për ruajtjen e kufijve detarë në dëm të jetëve të pambrojtura njerëzore.

Familje të tëra të shuara…. të rinj që ëndrrat u ngelën përjetësisht në ujërat e Otrantos dhe qindra familjarë që nuk kanë mundur të gjejnë as paqe e as drejtësi për të afërmit e tyre./ TCH

Të fundit