Flash News

E-TJERA

Trajneri italian plas skandalin: Futbolli shqiptar, më i korruptuari në botë. Denoncon pazare, penallti të rreme dhe manipulim ndeshjesh

Trajneri italian plas skandalin: Futbolli shqiptar, më i korruptuari

Diego Longo, trajneri italian që ka drejtuar Kukësin, Flamurtarin dhe Teutën, ka hedhur akuza të rënda ndaj futbollit shqiptar në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”, duke e cilësuar atë si më të korruptuarin në botë.

Longo rrëfen episode të dyshimta gjatë kohës te Kukësi asokohe nën presidencën e Safet Gjicit, përfshirë ndërprerjen e VAR-it për 15 minuta në një ndeshje vendimtare ndaj Partizanit, dy penallti të mohuara për ekipin e tij dhe një penallti të diskutueshme në favor të kundërshtarit.

 Ai pretendon se drejtuesit e klubit ishin në dijeni dhe e pranonin situatën. Pavarësisht përvojës së tij edhe te Flamurtari dhe Teuta, Longo thotë se kushtet dhe ndërhyrjet e vazhdueshme e detyruan të largohej, ndërsa suksesin më të madh e arriti së fundmi në Gjeorgji, ku fitoi Kupën dhe Superkupën.

PJESE NGA INTERVISTA

"Si është kampionati shqiptar?

Liga më e korruptuar në botë. Marrëdhëniet midis klubeve dhe institucioneve të futbollit janë shumë të ndërlikuara. Kam parë shumë gjëra të papranueshme, por ka një episod që i tejkalon të gjitha të tjerat.

A mund të na tregoni për këtë?

Vitin tim të parë me Kukësin, luajtëm për biletën e fundit në Europë kundër Partizanit. Ata janë një nga ekipet më të mëdha, ekuivalenti shqiptar i Juventusit dhe kanë një fuqi të jashtëzakonshme. Një ditë para ndeshjes, na morën fushën e stërvitjes, duke thënë se kishin organizuar një ndeshje për ekipin e tyre nën 16 vjeç.

Por më e keqja ndodhi të nesërmen. Gjatë ndeshjes, VAR u shkëput për 15 minuta, "probleme teknike" sipas gjyqtarit. Gjatë atij momenti, na u mohuan dy penallti të hapura dhe një penallti e rreme iu dha Partizanit, i cili fitoi dhe u kualifikua për në Europë.

Pas fishkëllimës së fundit, vrapova në dhomën e zhveshjes i tërbuar dhe i thashë presidentit tim se duhej të ngrinte zërin, se situata ishte e papranueshme. Ai, i cili në atë kohë ishte edhe kryetar bashkie i një qyteti shqiptar, u përgjigj: 'Nuk keni pse të zemëroheni, ne jemi dakord me këtë'. Ai u arrestua një vit më vonë.

Si ka mundësi? Skandal seksual, i vendosën një kamerë në zyrë dhe videoja madje përfundoi në YouTube. Mendoj se mund të gjendet ende", tha ai.

Por aventura Diego Longos në Shqipëri vazhdoi. Së pari te Flamurtari në Kategorinë e Parë dhe pastaj te Teuta.

"E udhëhoqa ekipin, i cili nuk po shkonte mirë, drejt fazës eliminatore për divizionin e parë, por humbëm për shkak të një gabimi të portierit në minutën e fundit. Pas Teutës, ku nuk kishte ambiente apo shkolla sportive, u largova dhe u ktheva në Itali", tha ai.

Sezoni i fundit ishte më i miri për Diego Longon si trajner, pasi fitoi me Dila Gorin, qytetin ku lindi Stalini, Kupën e Gjeorgjisë dhe Superkupën e këtij vendi.

Të fundit