Flash News

E-TJERA

Tri ditë pas arrestimit me qëllim ekstradimin në Itali, Gjykata liron ‘të fortin’ e Shkodrës

Tri ditë pas arrestimit me qëllim ekstradimin në Itali, Gjykata

Tri ditë pas arrestimit me shumë bujë të Bledar Cafit, i cilësuar si ‘i forti’ i Shkodrës, sot gjykata e rrethit gjyqësor e ka dërguar në shtëpi 41-vjeçarin.

Mësohet se gjykata ka ndryshuar masën e sigurisë nga ‘arrest me burg’ në ‘arrest shtëpie’. Madje, bie në sy se në vendim, gjykata ka “harruar” të shprehet nëse Cafi duhet ruajtur nga autoritete policore ose jo gjatë “arrestit shtëpiak”.

Kujtojmë se Cafi u arrestua në 25 janar. Bashkë me vëllain, Gëzim Cafi akuzohen si të përfshirë në disa ngjarje kriminale, në qytetin verior.

41-vjeçari është akuzuar për vrasjen e Shyqyri Mustafajt në vitin 2001, por nuk është shpallur kurrë i fajshëm pasi hetuesit nuk kanë gjetur mjaftueshëm prova për ta ndëshkuar. Disa vite më parë, ai u prangos nga oficerët e Interpolit në Lyon të Francës, pasi ndaj tij ishte lëshuar një urdhër-arresti ndërkombëtar.

Cafi akuzohej për disa vepra penale, si vrasje, përdorim armësh dhe eksplozivi në mënyrë të paligjshme, si dhe krime të tjera që ende nuk janë dokumentuar.

Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Zyra Qendrore e Interpol Tirana dhe ishte i akuzuar dhe shpallur në kërkim për veprat penale “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal” dhe “Trafikim droge në sasi të mëdha”.

Gjykata e Triestes/Itali, me vendimin e datës 04.06.2020, e ka dënuar këtë shtetas me 4 vjet e 2 muaj burgim, për veprat penale “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal” dhe “Trafikim droge në sasi të mëdha”, parashikuar nga Dekreti Presidencial “Për drogat” në Itali.

Të fundit