Flash News

E-TJERA

Tri jetët e zotit P., një roman politik i Virgjil Muçit për diktatorin ndër ne

Tri jetët e zotit P., një roman politik i Virgjil Muçit

Politiko.al

Diktatorët dhe të çmendurit kanë ekzistuar gjatë gjithë historisë së njerëzimit. Midis këtyre dy tipologjive ka një dikotomi të pazgjidhshme; por në qoftë se të gjithë diktatorët janë edhe të çmendur, jo të gjithë të çmendurit janë diktatorë. Kjo është ajo çka i ndan, ndërkohë ajo çka i bashkon është ideja obsesive, fikse, se një fuqi sublime, jo e kësaj bote u ka besuar një mision fisnik, të patjetërsueshëm. Po për ta vënë në jetë ata duhet t’i kenë duart e zgjidhura dhe, ç’është më e rëndësishme, pushtet të pakufizuar e të përjetshëm. Përjetshmëria dhe pushteti i lidhur me të përbëjnë një kusht sine qua non.   

Diktatorët nuk pikojnë nga qielli, ata janë mes nesh dhe, në një kontekst të caktuar, gëzojnë shëndet të plotë trupor e mendor, ndaj ngjajnë krejt si njerëz normalë. Më pas ndodh ajo metamorfozë, e cila të ndër mend qelizat e shëndosha të një organizmi që, në një çast të caktuar, xhindosen e tjetërsohen, duke e shkatërruar trupin ku jetojnë dhe tok me të edhe vetveten.

Le të mos fshihemi pas gishtit e të themi që ky nuk është një libër politik. Edhe pse produkt i fantazisë dhe i trillit artistik, ky është po aq politik sa edhe një traktat dhe si i tillë duhet lexuar. Një autopsi e shpirtit, jo e trupit njerëzor, por si të gjitha autopsitë synon të nxjerrë në dritë të diellit të keqen e padukshme që fshihet nën epidermë.  

Dhe në fund një këshillë për lexuesin: mos u rrek t’i veshësh një emër të përveçëm personazhit dhe/ose personazheve. Kjo do të ishte një përpjekje e kotë dhe e pafrytshme, një grackë naïve për mendjelehtët që besonin se diktatorët u zhdukën nga faqja e dheut ashtu si dinosaurët para mijëra vjetësh. 

Të fundit