Flash News

E-TJERA

U anulua në janar 2019, qeveria rikthen koncesionin e rrugës Thumanë-Kashar

U anulua në janar 2019, qeveria rikthen koncesionin e rrugës

Këshilli i Ministrave miratoi dje vendimin për rikthimin e koncesionit të rrugës Thumanë-Fushë-Krujë-Vorë-Kashar. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë është autorizuar për të vijuar procedurat e negocimit me kompanitë respektive.

Kujtojmë se në janar të vitit 2019, ministrja Belinda Balluku deklaroi ndërprerjen e koncesionit të rrugës Thuman-Kashar. “U ndërpre procedura e Partneritetit Publik Privat për aksin Thumanë-Kashar. Fondi i dedikuar për ndërtimin e aksit Thumanë-Kashar do të kalojë për Universitetin”, deklaroi Balluku, dy vite më parë.

Dy kompanitë të cilat ishin përzgjedhur për të realizuar projektin, pas vendimit të ministres, hodhën në gjyq Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Në fund të muajit korrik të këtij viti, gjykata e Apelit vendosi të rikthejë koncesionin për ndërtimin e aksit Thumanë-Kashar.

Vendimi i qeverisë:

AUTORIZIMIN E MINISTRISË SË INFRASTRUKTURËS DHE ENERGJISË PËR TË VIJUAR PROCEDURËN E NEGOCIIMIT TË KONTRATËS SË RE, ME SHOQËRITË “GENER 2”, SH.P.K., DHE “G2 INFRA”, SH.P.K.

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 26, pika 9, dhe 41, të ligjit nr.125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar, dhe të pikës 1, të nenit 17, të ligjit nr.50/2019, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat””, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

1. Autorizimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të vijojë procedurën e negociimit të kontratës të koncesionit/partneritetit publik privat me shoqëritë “Gener 2”, sh.p.k. dhe “G2 Infra”, sh.p.k., me qëllim ekzekutimin e vendimit nr.424 (86-2021-523), datë 29.7.2021, të Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë dhe, në rast se është e nevojshme, negociimin e angazhimeve detyruese në emër të shtetit, për realizimin e projektit infrastrukturor të aksit “Thumanë-Fushë-Krujë-Vorë-Kashar”, sipas marrëveshjes së zgjidhjes, bashkëlidhur këtij vendimi.

2. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë vijon procedurat për dërgimin e studimit të ri të fizibilitetit për mendim dhe shqyrtim pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

3. Kontrata e re e koncesionit/partneritetit publik privat, si dhe çdo angazhim detyrues në emër të shtetit, pas nënshkrimit nga palët, dërgohet për miratim në Këshillin e Ministrave.

4. Ngarkohet Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

KRYEMINISTRI
EDI RAMA

Të fundit