Flash News

E-TJERA

U arrestua pas dy vitesh, nisin procedurat e ekstradimit për një nga autorët e Masakrës së Velipojës

U arrestua pas dy vitesh, nisin procedurat e ekstradimit për një nga

Elmidin Dyli është një nga autorët e Masakrës së Velipojës i arrestuar një ditë më parë në Rimini të Italisë.

Dyli ishte shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare për veprat penale “Vrasja” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak”, lidhur me Masakrën e Velipojës, ngjarje e ndodhur në vitin 2021 me 4 të vrarë.

Pas arrestimit kanë nisur edhe procedurat për ekstradimin e Elmidin Dylit drejt Shqipërisë. Arrestimi i tij vjen dy vite pas ngjarjes.

“Vijon bashkëpunimi i suksesshëm më partnerët, me qëllim lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, një shtetas shqiptar i kërkuar për vrasje dhe për armëmbajtje pa leje. Falë inteligjencës policore, bashkëpunimit të ngushtë me zyrën e Interforcës italiane në Shqipëri, si dhe shkëmbimit të informacionit në kohë reale me Interpol Romën, u finalizua nga Policia italiane, operacioni policor i koduar “Rimini”. Strukturat e Policisë së Shtetit, prej disa ditësh, kishin siguruar informacion se në zonën e Riminit fshihej një shtetas i kërkuar për vrasje. Interpol Tirana bashkëpunoi ngushtë me zyrën e Interforcës italiane në Shqipëri dhe me homologët e Interpol Romës, për shkëmbimin në kohë reale të këtij informacioni.

Policia e Riminit, bazuar në këto informacione, organizoi operacionin policor të koduar “Rimini”, në kuadër të të cilit lokalizoi, kapi dhe shoqëroi shtetasin e kërkuar ndërkombëtarisht, autor të dyshuar për vrasje. Pas verifikimeve të thelluara të kryera ndërmjet Policisë shqiptare dhe asaj italiane, mëngjesin e sotëm është bërë identifikimi i shtetasit të shoqëruar E. D., i cili u arrestua me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë. Shtetasi E. D. ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, nga Interpol Tirana, për veprat penale “Vrasja” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak”, në lidhje me ngjarjen e ndodhur në vitin 2021, në Velipojë, ku mbetën të vrarë me armë zjarri, 4 shtetas. Policia e Shtetit falënderon homologët italianë dhe zyrën e Interforcës italiane në Shqipëri, për bashkëpunimin e shkëlqyer policor në interes të të dy vendeve dhe më gjerë”, njofton Interpoli.

Ngjarja ndodhi pak orë pas mesnate në ambientet e hotelit dhe barit të familjes Gocaj. Konflikti kishte nisur për shezlongët në plazh. Nga të shtënat me armë zjarri mbetën tëvrarë dy djemtë e familjes Gocaj, Xhovani 25 vjeç dhe Edmondi 38 vjeç, Kujtim Ferracaku 59 vjeç dhe kamarieri Musein Zeneli 20 vjeç.

Të plagosur mbetën dy autorët Hasan Ferracaku dhe Elmidin Dyli, nipi i Kujtim Ferracakut.

Të fundit