Flash News

E-TJERA

U dënua me dy vite burg, Adriatik Llalla ankimon vendimin

U dënua me dy vite burg, Adriatik Llalla ankimon vendimin

Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla ankimoi vendimin e gjykatës së shkallës së parë e cila e dënoi me dy vite burg për akuzën e deklarimit të rremë dhe fshehjes së pasurisë.

Ankimi është dorëzuar të enjten në Apelin e Posaçëm dhe pritet që në ditët më vijim të hidhet shorti për gjyqtarin.

Gjithashtu, Llalla u përjashtua për 5 vite nga postet publike. Kjo masë dënimi u kërkua edhe nga SPAK, ndërsa pasuritë e ish-zyrtarit të lartë do t'i kalojnë shtetit.

Hetimet ndaj tij filluan në mars të vitit 2018 për katër vepra penale, fshehje pasurie, mosdeklarim i të ardhurave në kufi, shpërdorim detyre dhe pastrim parash, por në fund tre akuza u rrëzuan dhe mbeti në fuqi vetëm ajo për fshehje pasurie.

Adriatik Llalla u zgjodh Prokuror i Përgjithshëm në vitin 2012 dhe e mbajti këtë post deri në nëntor 2017, kur i mbaroi mandati 5-vjeçar. Ai u zëvendësua nga ish-Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku.

Ish-prokurori i përgjithshëm është një prej 4 personave publikë të cilëve u është ndaluar hyrja në SHBA, bashkë me Sali Berishën, Tom Doshin dhe Vangjush Dakon.

 

Të fundit