Flash News

E-TJERA

U gjet i pajetë në humnerë, familja e Mirel Çokajt kallëzon 4 efektivë që e raportuan rastin si aksident

U gjet i pajetë në humnerë, familja e Mirel Çokajt

Familja Çokaj ka depozituar një kallëzim pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore ndaj katër efektivëve të Komisariatit të Malësisë së Madhe, në lidhje me vdekjen e Mirel Çokajt, i cili u gjet i pajetë në një humnerë në zonën malore të Kozhnjes më 18 shtator.

Sipas familjarëve, vdekja e 32-vjeçarit nuk është aksidentale, siç u raportua fillimisht nga policia, por një vrasje e kryer nga bashkëpunëtorët e tij me të cilët dyshohet se administronte një parcelë me kanabis. Ata pretendojnë se Mireli mund të jetë eliminuar për shkak të konfliktit mbi ndarjen e fitimeve, pasi bimët narkotike ishin në prag të korrjes.

Trupi i tij u gjet një ditë pas ngjarjes, pasi Forcat e Armatosura ndërhynë me helikopter për nxjerrjen e trupit nga terreni i vështirë. Por familjarët thonë se që në orët e para policia nuk kreu asnjë veprim hetimor serioz dhe se provat e mundshme janë lënë pas dore.

Pikërisht për këtë arsye, në kallëzimin e bërë në AMP, katër punonjësit e policisë akuzohen për mosveprim, shpërdorim detyre dhe mungesë të procedurave të duhura hetimore.

Ndërkohë, Prokuroria e Shkodrës ka regjistruar procedimin penal për veprën “shkaktim i vetëvrasjes”, duke mos pranuar versionin aksidental të referuar nga policia. Hetimi ka nisur me marrjen në pyetje të të gjithë personave të përfshirë, ndërsa janë duke u mbledhur prova që mund të rindërtojnë me saktësi rrethanat e vdekjes.

Nëna dhe motra e viktimës, si dhe një kushëri i tyre që jeton në SHBA, ish-oficer policie, kanë dalë publikisht duke deklaruar se janë të bindur se Mirel Çokaj është vrarë. Ata kërkojnë që ngjarja të hetohet deri në fund dhe autorët e mundshëm të dalin para drejtësisë.

Ndërsa hetimet zyrtare po vijojnë, familja këmbëngul se nuk do të ndalet derisa të zbardhet e vërteta e asaj që ka ndodhur në Kozhnje.

 

Të fundit