Flash News

E-TJERA

U kërcënua me jetë, Kalaja: Pas sulmit mund të fshihet 'Irena me shumë mbiemra'

U kërcënua me jetë, Kalaja: Pas sulmit mund të fshihet

Policia kriminale e Tiranës ka referuar në Prokurorinë e Tiranës një material kallëzimi, duke kërkuar fillimin e ndjekjes penale ndaj një personi që ka kërcënuar me jetë aktivisten dhe avokaten Ardiana Kalaja.

Kjo e fundit është kërcënuar përmes rrjetit social “Facebook” nga një profil i rremë me emrin “Klaus Bianconeri”.

E ftuar në edicionin informativ të lajmeve me gazetarin Arnold Kariqi, avokatja Ardiana Kalaja u shpreh se ka dyshime konkrete se pas këtyre kërcënimeve mund të fshihet gjyqtarja Irena me disa mbiemra.

Ajo akuzoi drejtpërdrejt Policinë e Shtetit dhe Prokurorinë e Tiranës për pasivitet dhe mosveprim, pasi sipas saj, prej më shumë se një muaji nuk është identifikuar autori dhe nuk është marrë asnjë masë për zbardhjen e plotë të çështjes.

Pjesë nga deklarata:

Së pari, më lejoni të shpreh mirënjohjen time, qoftë për gazetarin Qyno, qoftë për të gjithë median tuaj të nderuar, sepse sot realisht e ndjeva veten që kisha një mbështetje dhe një vlerësim maksimal. Për këtë u ndjeva mirë.

Ndërkohë, më 19 shkurt kam marrë një kërcënim me jetë. Duke qenë se jam pjesë e sistemit të drejtësisë, e kuptoj shumë mirë kush është kërcënim real dhe kush është diçka për të kaluar radhën. Aq më shumë që, prej punës që bëj prej vitesh, lidhur me denoncimet ndaj këtij pushteti mafioz dhe kriminal, kam marrë kërcënime nga më të ndryshmet, qoftë me tendencë të fshehur, qoftë të hapur. Ajo që më shqetësoi ishte fakti që kërcënimi, përveçse ishte shumë i rëndë, kishte edhe një kod mafioz, siç e patë edhe ju.

Ka edhe një mesazh më përpara ku thuhet: “Ti nuk e di që pa dashje punon për mua”. Ndërkohë që një denoncim që unë bëj për një person, i leverdis personit që është pas kësaj faqeje. Ajo që më shqetëson realisht nuk është kërcënimi, por pasiviteti i institucioneve ligjzbatuese.

Të nesërmen në mëngjes, më 20 shkurt, kam shkuar në Policinë e Tiranës dhe vetë drejtuesit, pasi lexuan mesazhet, e kuptuan qartazi dhe më thanë që ky është kërcënim i hapur për jetën. Më thanë se është shantazh për të mbyllur gojën dhe se do të kërkonin në Prokurorinë e Tiranës që të ofrohej mbrojtje për mua.

Kur referova të dhënat te Drejtoria e Krimit Kibernetik, nga personat aty, që më pritën në mënyrë korrekte, mu tha që çështja do të zgjidhej brenda dy-tre ditësh: së pari të identifikohej personi dhe, më e rëndësishmja, kush fshihej pas tij.

Nëse do të kisha frikë apo dëshirë të viktimizohesha, mund ta bëja publike që atë ditë. Sot jemi më 26 mars dhe prej më shumë se një muaji nuk ka asnjë interes se çfarë ka ndodhur me këtë mesazh, megjithëse policia vetë e cilësoi si kërcënim të rëndë për jetën. Ndërkohë, me kalimin e ditëve kërkoja informacion dhe shikoja edhe faqen e këtij individi, e cila vazhdonte të ishte aktive, edhe pse më ishte thënë se do të mbyllej brenda pak ditësh.

Pas disa ditësh, nga oficerët e policisë gjyqësore pranë Drejtorisë së Tiranës, mu konfirmua se dosja ishte deleguar në Prokurorinë e Tiranës dhe mu dha edhe numri përkatës. Gjatë gjithë kësaj periudhe jam interesuar pranë Prokurorisë së Tiranës dhe nuk kam asnjë informacion se çfarë është bërë me këtë çështje.

Mbani mend që një nga personat e dyshuar në grupin e rrezikshëm të AKSHI-t ishte ish-drejtoresha e Krimit Kibernetik, zonja Gjana, në dijeninë time mikesha e afërt e Taulant Ballës. Nuk është se kisha pritshmëri të madhe nga këto institucione, por minimalisht...

Deri në javën e kaluar, në Prokurorinë e Tiranës më është konfirmuar që nuk është hedhur shorti. Pra, nuk di se kush prokuror e ka çështjen, që të paktën të interesohem për një kërcënim me jetë. Si duket prisnin që unë të ndaloja betejën time. Personi nuk më thotë që do të shkoj te Zoti, por më thotë: “A do të shkosh me pushime apo do të takosh Zotin?”, duke më dhënë një alternativë në këmbim të mbylljes së gojës.

Më 7 mars bëra një denoncim publik në faqen time në Facebook. Pas kësaj mora një kërcënim të dytë, këtë herë haptas. Personi, duke parë që nuk ndodhi asgjë pas 19 shkurtit, më dërgon mesazhe të tjera me kërcënime. Bëra screenshot dhe pashë që faqja ishte ende aktive. Ia dërgova sërish Drejtorisë së Krimit Kibernetik, por kësaj radhe mu tha që, për të qenë e qetë, të bllokoja faqen.

Sot, më 26 mars, nuk kam asnjë informacion as nga Policia e Shtetit, as nga Prokuroria e Tiranës për këtë individ dhe kush qëndron pas tij. Situata rëndohet edhe më shumë, pasi në deklarimin tim kam përmendur disa persona të dyshuar, përfshirë një gjyqtare që, sipas meje, është e lidhur me krimin dhe është e aftë të bëjë çdo gjë.

Pavarësisht nëse qëndron apo jo ky dyshim, pyetja mbetet: si mundet që Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Tiranës të jenë kaq pasive? Çfarë i pengon të tregojnë se kush fshihet pas asaj faqeje?

Për kryeministrin Rama janë arrestuar njerëz edhe për gjëra minimale, ndërsa për një kërcënim të drejtpërdrejtë me jetë nuk ka asnjë reagim.

 

Të fundit