Flash News

E-TJERA

U plagos nga një plumb qorr, italianes nuk i lejohet të kryejë operacion në Tiranë

U plagos nga një plumb qorr, italianes nuk i lejohet të kryejë

Një grua italiane me origjinë nga qyteti i Barit mbeti e plagosur në Tiranë tre ditë më parë. 52-vjeçarja u godit nga një plumb qorr dhe mbeti e plagosur.

Mediat italiane shkruajnë se është kërkuar transferimi i saj në Itali, por procedurat po vonojnë. Avokati i shtetases italiane, Vito Leonardo Candeloro, tha për Sky TG24 se 52-vjeçarja duhet patjetër t’i nënshtrohet një operacioni.

“Ne jemi në pritje të konfirmimit për koordinimin e transportit të ambulancës ajrore të zonjës, e cila duhet patjetër t’i nënshtrohet operacionit për heqjen e plumbit në Poliklinikën e Barit brenda një jave”, tha avokati.

Ai ka thënë se i është mohuar “pa asnjë arsye” mundësia e kryerjes së operacionit në Tiranë, në Spitalin e Traumës ku ndodhet 52-vjeçarja.

“Transferta me avion drejt Italisë, e cila duhet të bëhet me ndihmën e mjekëve, do të përballohet nga zonja me një kosto prej 15 mijë eurosh, pasi për pagesën nuk kujdeset as shteti italian dhe as ai shqiptar”, nënvizoi Candeloro.

Gruaja, e cila ishte me pushime në Tiranë me bashkëshortin e saj për të festuar ardhjen e vitit të ri, u godit nga një plumb teksa po ecte në rrugë. Plumbi fillimisht i preu veshin, më pas e goditi në fyt dhe në fund shpoi mushkërinë.

“Zonjës iu refuzua ndihma nga dy patrulla të policisë shqiptare, pavarësisht se i ishte kërkuar nga bashkëshorti i saj. E ka ndihmuar një kalimtar”, shtoi avokati i gruas.

Të fundit