Flash News

E-TJERA

U shfaq duke pirë ko*ainë, efektivi i Lezhës përjashtohet nga radhët e policisë

U shfaq duke pirë ko*ainë, efektivi i Lezhës përjashtohet

Në rrjete sociale qarkulloi video e një efektivi policie i cili pinte kokainë. Efektivi Xh. T., është oficer në Policinë e Lezhës dhe pas përjashtimit, ndaj tij po kryhen verifikime të tjera.

Policia sqaron se para masës së përjashtimit, efektivi ka qenë në efektin e masës disiplinore “Shtyrje e afatit të gradimit për 3 muaj”.

“Shtetasi i shfaqur në video është përjashtuar nga radhët e Policisë së Shtetit.

Gjithashtu, sqarojmë se punonjësi i Policisë Xh. T., para dhënies së masës “Përjashtim nga Policia”, ka qenë në efektin e masës disiplinore “Shtyrje e afatit të gradimit për 3 muaj”, dhënë me vendim nr. 29, datë 24.04.2025, për mosmbajtje të rregullt të uniformës së Policisë dhe sjellje jokorrekte ndaj eprorëve.

Po ashtu, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka pasur në proces shqyrtimi/verifikimi dhe hetimi disiplinor punonjësin e Policisë, Inspektor Xh. T., me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Seksionin e Rendit, Komisariati i Policisë Lezhë, në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, për shkelje disiplinore të parashikuar nga neni 121 “Llojet e shkeljeve disiplinore”, pika 1, gërma “j”, “Braktisja e detyrës dhe mungesa e pajustifikuar dhe e vijueshme për një periudhë prej 7 ditësh pune ose më shumë”, dhe me vendim nr. 127, datë 03.07.2025, të Komisionit Disiplinor në Drejtorinë e Standardeve Profesionale, i është dhënë masa disiplinore “Përjashtim nga Policia”, parashikuar nga neni 123, gërma “e”, të ligjit nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”.

Bazuar në ligjin “Për Policinë e Shtetit”, punonjësi i Policisë gëzonte të drejtën për ta ankimuar vendimin në Komisionin e Apelimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, i cili më datë 25.07.2025, ka lënë në fuqi masën “Përjashtim nga Policia” për punonjësin e Policisë Inspektor Xh. T., të marrë me vendim nr. 127, datë 03.07.2025, nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit”, njofton policia.

Të fundit