Flash News

E-TJERA

U vra në Gjykatën e Apelit, ja disa nga gjyqet e rëndësishme ku ishte i përfshirë Astrit Kalaja

U vra në Gjykatën e Apelit, ja disa nga gjyqet e rëndësishme

Astrit Kalaja, një nga gjyqtarët më me përvojë në sistemin shqiptar të drejtësisë, u vra një ditë më parë (7 tetor 2025) brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit në Tiranë.

Ngjarja e rëndë ka tronditur institucionet e drejtësisë dhe opinionin publik, duke rikthyer vëmendjen mbi sigurinë e magjistratëve dhe tensionet brenda sistemit gjyqësor.

Me një karrierë 32-vjeçare në sistemin e drejtësisë në vend, Kalaja ishte i përfshirë në procese për prona, detyrime kontraktuale, veprime përmbarimore, etj.

Në raportin vjetor të 2024 të publikuar nga Gjykata e Apelit, shihet se Astrit Kalaja ka qënë relator në 424 çështje dhe anëtar i trupit gjykues në shumë çështje të tjera, ngarkesë kjo që sipas raportit e kalon dukshëm ngarkesën mesatare që duhet të ketë një gjyqtar.

U vra në Gjykatën e Apelit, ja disa nga gjyqet e rëndësishme
Raporti

Megjithatë mes këtyre çështjeve të shqyrtuara nga gjyqtari Kalaja, ka qënë edhe çështja për vulën e Partisë Demokratike. Kalaja bashkë me Elona Mihalin dhe Irida Kacerjan ishin tre gjyqtarët, të cilët shqyrtuan çështjen mes dy grupeve për kontrollin e Partisë Demokratike, asokohe linjës së Berishës dhe grupit të Enkelejd Alibeajt, që përfaqësonte linjën e Lulzim Bashës.

Me unanimet të plotë trupa gjykuese e Apelit, prishi vendimin e datës 25 mars 2022, ku Gjykata e Tiranës njohu asokohe Kuvendin e 11 dhjetorit 2021, ku u vendos shkarkimi i Lulzim Bashës si dhe kryesisë së partisë. Trupa gjykuese vendosi rrëzimin e vendimit dhe kthimin e çështjes për shqyrtim në shkallë të parë me trupë tjetër gjykuese.

"Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Relatore znj. Elona Mihali dhe anëtarë z.Astrit Kalaja dhe znj. Irida Kacerja, me unanimitet, me vendimin nr. 44, datë 03.03.2023, vendosi:

 Prishjen e vendimit nr. 3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe dergimin e çështjes për rigjykim pranë asaj gjykate me tjetër trup gjykues.

Kundër këtij vendimi lejohet rekurs i veçantë në Gjykatën e Lartë brenda 5 ditëve, duke filluar ky afat nga dita e nesërme e komunikimit të vendimit të arsyetuar",- thuhet në njoftimin e gjykatës.

Më vonë në qershor të vitit të kaluar, Gjykata e Apelit rrëzoi Bashën, dhe i dha vulën e PD-së ish-kryeministrit Sali Berisha.

U vra në Gjykatën e Apelit, ja disa nga gjyqet e rëndësishme

Gjithashtu, Astrit Kalaja ka qenë anëtar i Kolegjit Zgjedhor edhe gjatë zgjedhjeve lokale të 2011, duke vendosur për fituesin në atë kohë të garës për drejtimin e Bashkisë së Tiranës.

Asokohe në përfundim të procesit të rregullt të numërimit, Edi Rama fitoi përballë Lulzim Bashës me 10 vota diferencë. Pas përfundimit të numërimit, nisi historia e vlerësimit të fletëve të hedhura ‘në kutitë e gabuara’, ku protagonist në atë kohë ishte Arben Ristani, ish-kryetar i KQZ-së.

Pas rivlerësimit të votave në ‘kutitë e gabuara’, Basha mori 124 786 vota, ndërsa Rama 124 705. PS i ankimoi këto vendime të KQZ në Kolegjin Zgjedhor, me pretendimin se rivlerësimi i votave në ‘kutitë e gabuara’ nuk kishte bazë ligjor. Kolegji Zgjedhor, me trupë gjykuese të përbërë nga Astrit Kalaja, Tom Ndreca, Entela Prifti, Petraq Dhimitri dhe Sashenka Jonuzi rrëzuan pretendimet e PS, duke legjitimuar lëvizjen e KQZ-së, e cila i dha në atë kohë Bashkinë e Tiranës Lulzim Bashës në tavolinë.

U vra në Gjykatën e Apelit, ja disa nga gjyqet e rëndësishme

Dhe gjyqi i fundit i Kalasë ishte ai i një dite më parë për pronën, i cili rezultoi të ishte fatal. 

Autor i dyshuar i krimit, Elvis Shkëmbi zbrazi armën pas përfundimit të seancës gjyqësore, ku xhaxhai i tij Gjon Shkambi humbi gjyqin për një godinë në lagjen “Skënderbeg” të Shkodrës, ku janë të strehuar 31 familje.

Prona për të cilën bëhet fjalë është Shkolla e Rezervave në Shkodër, pronësinë e të cilës e pretendon familja Shkambi. Në atë godinë banojnë edhe 31 familje të tjera, të cilat Gjon Shkambi kërkonte të nxirreshin jashtë, sepse sipas tij, qëndronin aty pa të drejtë, e kishin zaptuar dhe shfrytëzonin pronën e tij.

Gjyqi kishte të bënte me një seancë për masat administrative të vendosura nga përmbaruesi, ku 31 familjet duhet të paguanin nga 500 mijë lekë të vjetra për shkak se nuk kishin liruar godinën, por kanë arritur ta fitojnë gjyqin edhe në shkallën e dytë të gjyqësorit. Në momentin që Kalaja ka dhënë vendimin në favor të palës tjetër Elvis Shkambi ka nxjerrë armën dhe e ka ekzekutuar. 

U vra në Gjykatën e Apelit, ja disa nga gjyqet e rëndësishme
Prona për të cilën ndodhi vrasja

Të fundit