Flash News

E-TJERA

“Ultimatumet” dhe impakti i Yuri Kim për çështjet më të rëndësishme gjatë 2021-shit

“Ultimatumet” dhe impakti i Yuri Kim për çështjet

Yuri Kim ka qenë një zë i rëndësishëm përgjatë vitit 2021. Kjo për shkak të zhvillimeve të shumta në sferën politike, por dhe të ndikimit të gjithhershëm që ambasada amerikane ka në Tiranë. Kryediplomatja e ambasadës numër një në Shqipëri është cilësuar jo pak herë si gruaja që ua ka bërë “tetë me dy” politikanëve shqiptarë.

Kim erdhi zyrtarisht në Tiranë më 22 janar të vitit të kaluar dhe ndër prioritetet e misionit të saj në vendin tonë, ajo prezantoi thellimin e bashkëpunimit SHBA-Shqipëri në fushën e mbrojtjes, nxitjen e zhvilllimit demokratik dhe investimet amerikane.

Këto prioritete ajo i ka nënvizuar shpesh gjatë deklaratave të saj. Kim nuk ka lënë pa përmendur faktin që Shqipëria sot gjendet në një situatë mjaft të rëndë dhe ajo do të kontribuojë për zgjidhje. Deklaratë kjo që është konceptuar edhe si një shtim i prezencës dhe ndikimit amerikan në Tiranë.

Ajo ka thënë ndër të tjera se "mbyllja" e korridoreve të ndikimit rus në Shqipëri, do të jetë një nga prioritetet kryesore të saj gjatë mandatit në krye të Ambasadës. Po ashtu ajo e ka cilësuar si të rrrezikshëm edhe shtimin e ndikimit kinez në vendin tonë, dhe është shprehur e gatshme që të luftojë kundër këtij ndikimi. Pra ndikimi i kryediplomates në terrenin tonë politik i shtuar.

Yuri Kim është akuzuar jo pak herë se mban anën e qeverisë. Ajo ka reaguar ndaj këtyre zërave, duke thënë se kjo është një akuzë me të cilën përballen shpesh diplomatët kudo në botë, ndërsa ka theksuar se presidenti Joe Biden e ka dërguar të mbrojë interesat e SHBA-së pranë qeverisë shqiptare.

Çështja “Berisha”

Më 19 maj, Departamenti Amerikan i Shtetit shpalli “non grata” ish-kryeministrin Sali Berisha për korrupsion. Pas këtij vendimi, Kim i vendosi “ultimatum” kryedemokratit Lulzim Basha që ta përjashtonte Berishën nga PD. Asokohe ambasadorja bëri një deklaratë të fortë, ku tha se forca e parë anti-komuniste në vend, “nuk mund të hajë barë” për interesat e një njeriu të vetëm.

Kim ka thënë prerë se nëse Sali Berisha rimerr drejtimin e PD, SHBA do t’i ndërpresë lidhjet me këtë parti. Sipas Kim, askush nuk është mbi ligjin, duke theksuar se lufta ndaj korrupsionit është prioritet i Shteteve të Bashkuara.

Zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit

Një zhvillim i rëndëishëm i këtij viti ishin zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit. Kim iu kërkoi shiptarëve që të mos e shisnin votën duke te kriminelët, duke theksuar se populli duhet të zgjidhte të ardhmen e tij. Ndërsa nga institucionet përgjegjëse dhe partitë politike kërkoi që të garantonin një proces zgjedhor të rregullt.

Ambasadorja iu kërkoi liderëve të partive të kontrollonin listat, duke paralajmëruar se do të mbanin përgjegjësi për individët që do të garonin me siglën e tyre. Ambasadorja bëri shpesh thirrje për të larguar nga listat e kandidatëve për deputetë personat e akuzuar për korrupsion të nivelit të lartë nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Kim i dha “ultimatum” PS-së që të hiqte nga lista e kandidaëve për deputetë Tom Doshin, i cili e dha vetë dorëheqjen vetëm disa orë pas zgjedhjeve.

Kim e cilësoi procesin zgjedhor të rregullt, duke theksuar të rëndëishme rikthimin e opozitës në Kuvend. Ajo kërkoi nga institucionet e drejtësisë që të hetonin denoncimet e opozitës, kryesisht akuzat për blerjen e votive nga ana e mazhorancës.

Reforma në Drejtësi

Ambasadorja Kim ka kërkuar që Parlamenti shqiptar të miratojë ndryshimet në Kushtetutë për të zgjatur mandatet e organeve të vetingut, që përfundojnë në verën e 2022-it. Ajo ka thënë se zbatimi i Reformës në Drejtësi ka lënë hapësirë për kritika.

Në kuadër të 5 viteve të Reformës në Drejtësi, ambasadorja amerikane është shprehur se ende ka njerëz që nuk duan që kjo reformë të ecë para, dhe se shumë duan që ta bllokojnë vazhdimin e saj. Kryediplomatja amerikane ka dhënë mesazhe se kohës së pandëshkueshmërisë po i vjen fundi.

Pasi gjykata dënoi ish-Prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llallën me dy vite burg, Kim inkurajoi prokurorët se duhet të vazhdojnë të ndërmarrin veprime kundër zyrtarëve, pa marrë parasysh sa të lartë apo të fuqishëm janë nëse keqpërdorin pozitën e tyre për t'u pasuruar.

Reforma Territoriale

Shtetet e Bashkuara i mbështesin ndryshimet në Reformën Territoriale, të kërkuara nga Partia Demokratike. Kim ka deklaruar se ka shumë për të bërë në këtë drejtim. Kujtojmë që miratimi i ndryshimeve kërkon dialog mes qeverisë dhe opozitës dhe ky bashkëpunim është mbështetur nga ambasada amerikane në Tiranë.

Stërvitja ushtarake “Defender 2021”

Një nga ngjarjet më të rëndëishme gjatë 2021-it ishte nisja e stërvitjes ushtarake “Defender 2021”. Diplomatja amerikane u shpreh se Shipëria nuk është zgjedhur rastësisht për mbajtjen e stërvitjeve të tilla ushtarake. Ajo e cilësoi një hap të rëndësishëm për Shqipërinë, ndërsa nënvizoi se ndikon pozitivisht në ekonominë lokale.

Udhëtimet e Kim në Shqipëri

Përveç misionit diplomatik, Kim ka njohur edhe Shqipërinë turistike. Ajo ka vizituar një sërë destinacionesh turistike, nga ku është shprehur e mrekulluar nga bukuritë shqiptare nga veriu në jug. Kryediplomatja amerikane ka veçuar qytetin e Shkodrës si më të preferuarin e saj.

Kim është një diplomate karriere, ka shërbyer në poste të larta drejtuese dhe ka një eksperiencë të gjerë në çështje që lidhen me sigurinë kombëtare nga Europa, në Azi e deri në Lindjen e Mesme. Pasi të përfundojë shërbimin e saj në Shqipëri, Kim është emri më i lakuar për tu emëruar ambasadore e SHBA-së në Korenë e Jugut.

Të fundit