Flash News

E-TJERA

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë kundër Kodit të ri Penal: Rrezikon lirinë e shprehjes, paralajmëron një sistem represiv juridik

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë kundër Kodit të ri Penal:

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë (UGSH) ka reaguar ashpër ndaj draftit të Kodit të ri Penal, duke paralajmëruar rrezikun për kufizim të lirisë së shprehjes dhe instalim të një sistemi juridik represiv.

Në një deklaratë zyrtare, UGSH shpreh shqetësimin se ky projektligj sjell pasoja serioze për median dhe qytetarët kritikë, duke lënë hapësira për ndëshkime të padrejta dhe censurë.

“Në këtë draft, i cili po kontenstohet prej shumë zërave nga komuniteti i juristëve, pedagogëve dhe ekspertëve të fushës së jurisprudencës, përfshi edhe gazetarë të shumtë që ndjekin cështje juridike dhe mbartin ekspertizë në aspekte të amendimeve ligjore, vërrejmë se krijohen cënime të të drejtave themelore dhe krijohen premisa të rrezikshme për kufizim dhe pengim të lirisë së shprehjes dhe raportimit. UGSH vërren se në tekstin e këtij drafti mbarten rreziqe për lirinë e shprehjes.

Procesi i saponisur i amendimit të Kodit Penal, pasuron paqëndrueshmërinë juridike në vend, (pasi në 30 vitet e fundit kodi është ndryshuar 24 herë me ligj dhe 10 herë pas vendimeve të Gjykatës Kushtetuese).

Ftesa për të marrë pjesë në diskutimet e këtij drafti është thjesht një akt formal tradicional, ndërkohë që do të duhej konceptimi i një metodologjie partneriteti kontribues me të gjitha grupet e interesit dhe sidomos, faktorët e aktorët e ekspertizës së profileve për të dhënë kontribut spende e konkret për nenet sipas sferave, lëmive dhe hapësirës ndërinstitucionale, ku përfshihen edhe nene për mediat, shprehjen e raportimin e lirë, për transparencën dhe detyrimet për komunikim dhe informim publik”, thuhet në reagim.

UGSH ngre alarmin për disa nene të parashtruara në draft, të cilat, sipas unionit, rrezikojnë të penalizojnë gazetarët, editorët dhe qytetarët që shprehin kritika për institucionet publike.

"Vërejmë se në nene të vecanta si “ Neni 236”,  nën koracën mbrojtëse të simboleve apo heraldikës shtetërore dhe kombëtare përfshihet edhe penalizimi, në rastet kur sic pretendohet në draft, përdhosen emri apo imazhi i Presidentit të Republikës, Kuvendit, Qeverisë etj, ndërkohë që këta titullarë të lartë institucionalë janë persona politikë dhe publikë", thuhet në deklaratë.

UGSH thekson se drafti bie ndesh me rekomandimet e Bashkimit Evropian dhe praktikat e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke shpërfillur edhe kërkesat për dekriminalizimin e shpifjes. Organizata kërkon rishikim të thellë të projektit dhe përfshirje reale të grupeve të interesit, duke e cilësuar konsultimin aktual “një akt formal”.

“Ky është një hap pas për lirinë e medias dhe shprehjes në Shqipëri,” paralajmëron Unioni, duke apeluar për ndryshime substanciale në draftin e ri të Kodit Penal.

Të fundit