Flash News

E-TJERA

Urdhëri i Ramës, vijon vala e dorëheqjes së drejtorëve të bashkive në vend

Urdhëri i Ramës, vijon vala e dorëheqjes së drejtorëve

Pas thirrjes së kryeministrit Edi Rama për një “vetëpastrim” të administratës vendore dhe largimin e drejtorëve e zyrtarëve që nuk justifikojnë më detyrën, kanë vijuar dorëheqjet e drejtorëve edhe në bashkitë e tjera të vendit.

Pas Elbasanit, Vlorës, Durrësit largime masive janë regjistruar këtë të martë edhe në Librazhd, Kukës, Divjakë, Delvinë, Sarandë dhe Konispol ku drejtorët dhe drejtuesit e njësive administrative kanë paraqitur doprëheqjen e tyre. 

Në Bashkinë e Librazhdit, janë dorëzuar dorëheqjet e të gjithë nënkryetarëve, drejtorëve të drejtorive dhe administratorëve të njësive administrative që kishin më shumë se dy vite në detyrë.

Bëhet me dije se janë dorëhequr dministratorët e Njësive Administrative Qendër, Orenjë, Lunik, Steblevë dhe Hotolisht, si edhe nënkryetarët e Bashkisë. Lëvizja është konsideruar si pjesë e procesit të analizës së performancës dhe pastrimit të administratës nga individët që nuk përmbushin pritshmëritë.

Në Kukës, janë shkarkuar nga detyra 14 administratorë të njësive administrative si dhe 2 nënkryetarët e bashkisë, Agron Nuredinaj dhe Vladimir Spahiu. Sipas njoftimit zyrtar të Bashkisë Kukës, ky vendim është marrë pas një analize të thelluar të performancës së strukturave në terren, ku janë evidentuar mangësi të theksuara në disa sektorë të shërbimeve ndaj qytetarëve.

Në Bashkinë e Divjakës, deri më tani nuk janë publikuar zyrtarisht dorëheqje apo shkarkime. Megjithatë, burime jozyrtare bëjnë me dije se kanë dhënë dorëheqjen nënkryetari i institucionit si dhe tre drejtues të njësive administrative.

Në Delvinë është regjistruar një dorëheqje e plotë e strukturës drejtuese, ku nënkryetarët, administratorët dhe të gjithë drejtorët kanë paraqitur zyrtarisht largimin e tyre nga detyra.

Në Bashkinë e Konispolit, kanë dhënë dorëheqjen vetëm administratorët, ndërsa pjesa tjetër e strukturës mbetet në detyrë. Nuk dihet ende nëse priten lëvizje të tjera në vijim.

Edhe në Bashkinë Sarandë të gjithë nënkryetarët, administratorët dhe drejtorët e Bashkisë Sarandë kanë paraqitur dorëheqjen.

Në javët në vijim, pritet që lëvizjet të përfshijnë edhe bashki të tjera të mëdha dhe të vogla në të gjithë vendin, si pasojë e deklaratave të Ramës për riformimin e qeverisjes vendore.

Të fundit