Flash News

E-TJERA

Vallja e Tropojës, Eposi dhe xhubleta përgatiten për në ‘listën e dukurive’ të UNESCO-s

Vallja e Tropojës, Eposi dhe xhubleta përgatiten për në

“Memorandumi i Mirëkuptimit” ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit Shqiptaro–Amerikan për Zhvillim (AADF) i nënshkruar dje planifikon përgatitjen e dosjeve të aplikimit dhe regjistrimit të katër dukurive të trashëgimisë jomateriale shqiptare në “Listën përfaqësuese të dukurive jomateriale të njerëzimit” të UNESCO-s.

Bëhet fjalë për K’ cimin e bjeshkës me tupan i Tropojës, Ritualin e lashtë të shtegtimit të bagëtive, Xhubletën dhe Eposin e Kreshnikëve, njofton Ministria në një komunikatë për mediat.

Nënshkrimi i këtij memorandumi u bë në zonën turistike të Razmës ku ishin të ftuar kryetari i Bashkisë së Malësisë së Madhe, Tonin Marinaj, prefektja e Shkodrës, Majlinda Angoni, deputeti Ilir Beqaj dhe Ministrja e Kulturës, Elva Margariti.

Ndërsa deputeti Beqaj e konsideroi një ngjarje shumë të rëndësishme përgatitjen e dosjeve për në UNESCO, ministrja Margariti u shpreh se ky ishte një angazhim i dyfishtë si ministre, por edhe si nënë, që dëshiron t’i përcjellë vajzës së saj ndjenat kombëtare.

“Vazhdimisht e përmendim si një refren faktin që Shqipëria ka një pasuri kulturore të jashtëzakonshme. Në një hapësirë kaq të vogël gjen një ndërthurje kaq të larmishme motivesh, ngjyrash… Por do të mbetemi vetëm me jehonën e së shkuarës, e asaj që ishte dhe nuk është më, nëse nuk do të ruajmë dhe trashëgojmë atë pasuri që neve na e kanë trashëguar brez pas brezi, por që sot, nën trysninë e zhvillimit të shpejtë teknologjik dhe problemeve të së përditshmes rrezikojmë t’i humbasim”, tha ministrja Margariti sipas komunikatws.

Bashkëdrejtori Ekzekutiv i AADF, Martin Mata tha se hartimi i dosjeve për katër dukuritë të trashëgimisë jo materiale do të jetë një rrugë e gjatë dhe e vështirë, por nëse realizohet do të ndikojë pozitivisht në turizëm.

Në sajë të këtij memorandumi, Ministria e Kulturës angazhohet të organizojë në nivel lokal dhe kombëtar grupet e punës dhe të bashkëpunojë me AADF dhe UNESCO për identifikimin e konsulentëve ndërkombëtarë dhe lokalë, ndërsa  AADF  do të ofrojë  konsulencë ndërkombëtare dhe vendase për përgatitjen e dosjeve të aplikimit të Shqipërisë në UNESCO.

 

Të fundit