Flash News

E-TJERA

Vatër e re e murtajës së bagëtive në Zallbastar, autoritetet veterinare shpallin alarmin: 7 ferma pozitive deri tani

Vatër e re e murtajës së bagëtive në Zallbastar,

Sëmundja e murtajës te bagëtitë po përhapet me ritme shqetësuese në disa zona të vendit, ndërsa një vatër e re është identifikuar në fshatin Zallbastar të Tiranës. Lajmi u konfirmua nga Agjencia Kombëtare e Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB), e cila bën me dije se deri më tani janë identifikuar zyrtarisht 7 ferma të infektuara në 5 vatra të ndryshme shpërthimi.

Sipas autoriteteve veterinare, krerët e infektuar po asgjësohen në përputhje me protokollet strikte të biosigurisë. AKVMB i bën thirrje fermerëve të bashkëpunojnë ngushtësisht, duke shmangur çdo lëvizje të kafshëve apo shitje në ferma të tjera dhe duke respektuar masat parandaluese të vendosura.

Në një njoftim të mëparshëm, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bëri të ditur se sëmundja që ka prekur tufat është “Murtaja e Ruminantëve të Vegjël” (Peste des Petits Ruminants – PPR), një sëmundje virale, tepër ngjitëse dhe me rrezikshmëri të lartë për kafshët, por që nuk transmetohet te njerëzit.

Ministria ka konfirmuar se rasti i parë është zbuluar më 4 qershor në fshatin Domen (Shkodër), i ndjekur nga raste të tjera më 5 qershor në Vrenjt (Dibër), më 9 qershor në Val (Bulqizë), dhe më 11 qershor në Polenë (Skrapar).

Në bazë të urdhrave të Ministrisë, për çdo rast të konfirmuar janë marrë masa të menjëhershme kufizuese, për të ndaluar përhapjen e mëtejshme të sëmundjes. Fermerët dhe subjektet që ushtrojnë aktivitet blegtoral janë të detyruar të zbatojnë me përpikëri rregullat dhe të raportojnë çdo rast të dyshuar pranë autoriteteve përkatëse.

 

Të fundit