Flash News

E-TJERA

Vdekja e Kurtit, Meta: Krim shtetëror që po mbulohet nga policia dhe Rama

Vdekja e Kurtit, Meta: Krim shtetëror që po mbulohet nga policia dhe

Kryetari i PL-së, Ilir Meta ka dalë në një deklaratë për mediat lidhur me vdekjen e Lear Kurtit, që ndërroi jetë pas shoqërimit në komisariat. Meta tha se policia dhe qeveria po mbulojnë një krim flagrant shtetëror.

“Po tentohet të fshihet e vërteta, ndërsa është ende shumë e fresket në kujtesën e të gjithë shqiptarëve, vrasja makabër e Klodian Rashës dhe mashtrimi i policisë së Ramës dhe Ministrisë së Brendshme.

E mbushur me patronazhistë, të frymëzuar dhe të mbështetur politikisht nga arroganca e kryeministrit dhe sjellja dhe qëndrimet e njëjta me të dhe të Ministrit të Brendshëm, policia sot nuk shihet më si një institucion që mbron jetën dhe sigurinë e qytetarëve, por si kërcënim kriminal për ta.

Mbi bazën e disa fakteve publike ulëritëse, që rëndojnë edhe më shumë paligjshmërinë ku është zhytur policia e Ramës, natyrshëm shtrohen disa pyetje”, tha ish-presidenti.

Meta ngriti disa pyetje lidhur me këtë ngjarje:

Cila është arsyeja që policia deklaroi që i riu vdiq në spital, ndërkohë që spitali konfirmoi se ka ardhur i vdekur?

Cilët janë arsyet që autopsia u bë para kohës së detyruar me ligj, sepse autopsia është bërë 5 orë pas vdekjes dhe jo 12 orë sipas ligjit? Dhe u bë nga një ekspert i vetëm, ndërkohë që duhej të bëhej nga një grup ekspertësh?

U përdor si argument që në trupin e të ndjerit u gjet një qese plastike me kokainë, ndërkohë që për arritjen e konkluzioneve, duhet patjetër të kompletohen të gjitha analizat toksikologjike, për të vërtetuar nëse substanca ishte vërtet kokainë dhe e dyta cila ishte niveli i saj në gjak?

Si është e mundur dhe si ka mundësi që është lejuar që edhe në krevatin e spitalit, i shtruar, Lear Kurti ka qenë me pranga në duar?!

Meta tha se protestat janë të drejta. Deri më tani janë zhvilluar dy protesta ku kërkohet drejtësi për 32-vjeçarin.

“Është policia e Ramës që dhunon të rinjtë e të rejat në protesta të drejta dhe legjitime, i dhunojnë me policë të maskuar me xhupa dhe kapuç të zinj, që sillen si kriminelë dhe që nuk kursejnë as gazetarët me dhunën e tyre në prani të kamerave”, shtoi Meta. 

 

Të fundit