Flash News

E-TJERA

Vdes 48-vjeçarja në Korçë, djali akuzon mjekët: Nuk treguan kujdes, e nxorën nga spitali

Vdes 48-vjeçarja në Korçë, djali akuzon mjekët: Nuk

Një 48-vjeçare ka ndërruar jetë në banesën e saj në lagjen 15 të qytetit të Korçës.

Gentiana Nano u dërgua në urgjencën e spitalit të Korçës dy ditë më parë pasi kishte shfaqur probleme në frymëmarrjen. Pas trajtimit, mjekët e kane dërguar në shtëpi ku sërish ka shfaqur probleme.

Familjarët kanë njoftuar ambulancën dhe mjeku i ka bërë injeksione pasi viktima kishte rrahje të rritura të zemrës dhe tension të ulët.

Mëngjesin e sotëm 48-vjeçarja nuk është ndjerë mirë dhe u gjet e pajetë në dhomë.

Djali i saj Erdiol Nano ka hedhur akuza kundrejt mjekëve të spitalit të Korçës duke thënë se këta të fundit nuk kanë treguar kujdesin e nevojshëm për nënën e tij.

“Mami thoshte që nuk jam mirë, e ndjej veten të lodhur dhe kam rrahje të larta të zemrës. E çuam në spital, ju bënë kontrollet, i thanë që kishte anemi, i dhanë disa mjekime dhe u larguam. Ajo vazhdonte të thoshte që nuk ndihem mirë por doktorët s’na thanë asgjë dhe e nxorën. Si mundet të lesh një njeri të largohet kur ai të thotë nuk ndihem mirë?

Ditën tjetër përsëri tha që s’jam mirë dhe lajmëruam ambulancën. Na thanë që e ka tensionin e ulët, rrahjet e zemrës të larta dhe i bënë tre gjilpëra. Gjatë ditës mami ankohej sërish që nuk ishte mirë. 

Dua të di përse mjekët nuk na thanë çfarë duhet të bënim? Pse nuk e lanë në spital por e nxorën? Si e lanë të ikte nga spitali në atë gjendje? Sot më ndodhi mua, nesër mund ti ndodhë dikujt tjetër", ka deklaruar ai.

 

Të fundit