Flash News

E-TJERA

Veliaj refuzoi seancën dëgjimore për ‘5 majin’, PD kërkon shtyrjen: Abuzon me detyrën e kryetarit

Veliaj refuzoi seancën dëgjimore për ‘5 majin’, PD

Komisioni i Ligjeve kishte planifikuar sot në rendin e ditës një interpelancë të kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj me banorët e ‘5 majit’.

Në mbledhje janë paraqitur përfaqësuesit e banorëve, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano dhe Avokati i Popullit. Veliaj ka refuzuar të marrë pjesë në seancën dëgjimore, ndërsa argumentet i ka paraqitur me një shkresë.

Deputetja demokrate Dhurata Çupi ka kërkuar që seanca të shtyhet derisa kryebashkiaku të jetë i pranishëm, duke e konsideruar refuzimin e tij si një abuzim me detyrën e kryetarit.

“E shtyjmë deri sa të jetë kryetari i Bashkisë, është çështje mbijetese e banorëve, në mes të dimrit janë nxjerrë jashtë, nuk i është dhënë asnjë mundësi strehimi, janë prishur banesa në tetor dhe akoma nuk kanë marrë bonusin e strehimit, marrëveshjet janë  copa letrash ku askush nuk kupton çfarë merr dhe çfarë jep. Çdo ditë prishen nga 3 banesa. Abuzim me detyrën e kryebashkiakut Erion Veliaj”, tha Çupi.

Nga ana tjetër, kryetarja e Ligjeve Klotilda Vushka, tha se kryebashkiaku i ka përmbushur detyrimet e tij duke dërguar shkresën për të sqaruar arsyen e mungesës së tij.

"I është përgjigjur duke sjellë përgjigje me shkrim. Kemi organizuar dëgjesën se e kemi detyrim, kemi gatishmërinë për çdo informacion tjetër, do të dëgjojmë dhe të tjerë të ftuar dhe kjo do të vijojë sipas kalendarit që e kemi vendosur bashkë, se i ka përmbushur detyrimet e tij që i jep ligji, ka paraqitur informacione shteruese", tha Bushka. 

Kreu i grupit parlamentar të demokratëve, Enkelejd Alibeaj, shtoi se Veliaj duhet të përballet me njerëzit për të treguar fytyrën e vërtetë dhe dinjitetin e Kuvendit.

"Ç’është ky që nuk begeniska as njerëzit, po as Kuvendin, të japë sqarime nëse është me ligjin, i themi ne, je me ligjin, ia themi dhe ne, shkresa të tilla ka lëshuar pa fund. Duhet të përballet me njerëzit, duhet të sqarojë, janë në hall, janë pa shtëpi dhe nuk ua ka shkaktuar tërmeti, por shteti, kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj. Duhet të vijë për të ruajtur fytyrën, nderin dhe dinjitetin e Kuvendit të Shqipërisë, të shqiptarëve. Shteti nuk duhet të japë sqarime të vetat, jo po Këshilli Kombëtar është tallje me Kuvendin dhe me ne, është dëgjesë, se nuk janë vetëm këto, po të gjithë që presin t’u shemben shtëpitë", deklaroi Alibeaj. 

Të fundit