Flash News

E-TJERA

Vendimi për 30 qershorin/ Meta kërkon hetim disiplinor për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, shkeljet që konstaton

Vendimi për 30 qershorin/ Meta kërkon hetim disiplinor për

Presidenti Ilir Meta kërkon hetim disiplinor për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese lidhur me vendimin që dhanë për zgjedhjet e 30 qershorit 2019.

Ai kërkon që të nisë menjëherë hetimi dhe procedimi disiplinor ndaj relatores së çështjes, Fiona Papajorgji, apo dhe për anëtarë të tjerë të kësaj gjykate që do të rezultojnë të përfshirë në këtë veprimtari.

Kërkesa e Metës me argumentet përkatëse është dorëzuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Sipa Metës, ka të dhëna mëse të mjaftueshme se nga një apo disa gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese janë konsumuar shkelje të rënda profesionale dhe etike.

Kreu i Shtetit bën me dije se ka konstatuar se në këtë proces janë shkelur jo vetëm të drejtat e kërkuesit, apo palëve të tjera të interesuara, por dhe për nga rëndësia kushtetuese e institucioneve të përfshira në këtë proces dhe atë që ata përfaqësojnë, rezulton se janë shkelur të drejtat themelore të qytetarëve të vendit.

Duke vlerësuar se çështja e zgjedhjeve të 30 qershorit 2019, ishte një nga më të rëndësishmet dhe me interes të lartë publik, Presidenti thotë se qytetarëve ju mohua e drejta për t`u shqyrtuar themeli i saj.

Shkeljet që konstaton Meta janë:  

- Janë shmangur/shkelur në mënyrë të pakontestueshme rregullat procedurale të parashikuara nga ligji, për caktimin me short të relatorit të çështjes, duke krijuar dyshime të forta se fati i kësaj dosje ishte paracaktuar në favor të organit të emërtesës dhe mazhorancës përfaqësuese që ka zgjedhur/emëruar gjyqtarin kushtetues relator (F.P);

- Relatori i çështjes, përmes mos pasqyrimit të procesit vendimmarrës, si për administrimin e çështjes pa short, ashtu dhe për ndërtimin e pyetjeve drejtuar Komisionit të Venecias, ka konsumuar shkelje të rënda profesionale, por dhe etike, që kanë favorizuar disa palë në gjykim, dhe që kanë cenuar të drejtat e disa palëve të tjera, veprime këto që kanë diskredituar pozitën dhe figurën e një gjyqtari të Gjykatës Kushtetuese.

- Këto veprime të relatorit të çështjes, krijojnë idenë se janë kryer jo vetëm për përfitime të padrejta (në rastin konkret në formën e një kthimi të “shpërblimit” për organin e emërtesës që e ka zgjedhur), por edhe i kanë shkaktuar dëm të konsiderueshëm palëve pjesëmarrëse në gjykim, të cilëve u është mohuar e drejta për të marrë përgjigje për pyetjet e ngritura për Komisionin e Venecias, me impakt direkt edhe në mënyrën se si Gjykata Kushtetuese do të orientonte më pas zgjidhjen e çështjes të paraqitur para saj për shqyrtim. Mosdërgimi i pyetjeve të palëve në Komisionin e Venecias, veç të tjerash bie në kundërshtim me vendimin e ndërmjetëm të Gjykatës Kushtetuese të datës 23.6.2021.

- Këto veprime të relatorit të çështjes, krijojnë dyshimin e arsyeshëm se janë kryer në kushtet e papajtueshmërisë së tij, dhe duke paraqitur faktet në mënyrë të shtrembëruar në në shkresën e nxjerrë drejtuar Komisionit të Venecias.

Letra e plotë e Metës

Dokumenta bashkëngjitur

Të fundit