Flash News

E-TJERA

Vetëplagosja e 18-vjeçares, zbardhet dëshmia e të dashurit të saj: Isha me familjen kur dëgjova të shtënat

Vetëplagosja e 18-vjeçares, zbardhet dëshmia e të dashurit

Policia e Tiranë ka arrestuar sot 22-vjeçarin Erisjaldo Gjuta, nipi i Vladimir Gjutës, pas ngjarjes së rëndë të ndodhur dje në hotelin në pronësi të familjes së tyre, ku një 18-vjeçare mbeti e plagosur me armë zjarri.

Sipas burimeve hetimore, 18-vjeçarja, e cila ishte në një lidhje me Erisjaldo Gjutën, dyshohet se është vetëplagosur me armën e 22-vjeçarit, teksa ndodhej e vetme në dhomë. Pistoleta e përdorur në ngjarje nuk është gjetur ende, ndërsa i riu ka deklaruar se nuk ka dijeni për vendndodhjen e saj.

Në dëshminë e tij, ai ka pohuar se në momentin e të shtënës ka qenë jashtë me të atin dhe se, sapo kanë dëgjuar krismën, janë ngjitur me vrap në dhomë ku kanë gjetur 18-vjeçaren të plagosur. Fillimisht, sipas tij, kanë tentuar t’i japin ndihmën e parë dhe më pas e kanë transportuar në spital për shkak të gjendjes serioze.

Erisjaldo Gjuta akuzohet për veprat penale “Moskallëzim i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Mbajtja pa leje e armëve shpërthyese dhe municionit”.

Një ditë më parë, policia arrestoi edhe nënën dhe xhaxhain e 22-vjeçarit, Mirvete dhe Vladimir Gjuta, ndërsa në kërkim janë shpallur babai dhe kushëriri i tij, Saimir dhe Elvir Gjuta. Ata dyshohen se nuk kanë kallëzuar krimin dhe kanë prishur provat në vendngjarje, si edhe janë porositur të deklaronin se “vajzën e kanë gjetur të shtrirë te rrethi i Ekonomikut”.

Ndërkohë, e reja ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Në deklaratën e saj para hetuesve, ajo ka pohuar se ka tentuar t’i japë fund jetës, duke thënë se “ka bërë gabime në jetë”. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Të fundit