Flash News

E-TJERA

Video/ “Do të vras politikanët”, policia zbardh detaje nga arrestimi i 36-vjeçarit të arrestuar me arsenal armësh në Lezhë

Video/ “Do të vras politikanët”, policia zbardh detaje nga

Zbardhen detaje të reja lidhur me arrestimin e 36-vjeçarit Antonio Leka në Lezhë. Sipas policisë, i riu u kap i veshur me anti-plumb dhe me një arsenal armësh e sende të tjera dhe ishte nisur për të kryer një krim të mundshëm.

Burime jo zyrtare bëjnë me dije se pas arrestimit 36-vjeçari ka thënë para policisë se ishte nisur të vriste politikanët, por zyrtarisht policia nuk jep detaje.

Sipas policisë, bëhet me dije se kanë qenë familjarët ata që kanë lajmëruar oficerët se 36 vjeçari donte të kryente një krim dhe për këtë arsye ishte armatosur.

Njoftimi i policisë:

Sekuestrohen arsenal armësh, municion luftarak, dylbi, antiplumb, helmetë, thikë, lëndë narkotike, rroba kamuflazhi ushtarake dhe sende të tjera.

Arrestohet në flagrancë 36-vjeçari që i mbante në automjet ndërkohë që qarkullonte në qytetin e Lezhës.

Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore dhe nga familjarët e një 36-vjeçari që po qarkullonte në qytetin e Lezhës, me një automjet në të cilin mbante armë zjarri të llojeve të ndryshme, me të cilat kishte paralajmëruar se do kryente një krim të rëndë, kanë organizuar operacionin policor të koduar “Lavazhi" duke angazhuar shërbime të shumta policie.

Në kuadër të këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:

- A. L. 36 vjeç, për veprat penale "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit", "Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike", "Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta" dhe “Përgatitja e kushteve për vrasje”.

Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 1 armë zjarri pistoletë me 5 karikatorë, 1 automatik me 5 karikatorë, 550 fishekë luftarakë për pistoletën dhe automatikun, 1 palë dylbi, 1 antiplumb ushtarak, 1 thikë, 1 çantë ushtarake, 75 gramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis dhe rroba kamuflazhi.

Për shkak të sekretit hetimor, duke qenë se ngjarja është në hetim, nuk jepen detaje të tjera në lidhje me motivet dhe objektivin e synuar nga i arrestuari.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Të fundit