Flash News

E-TJERA

Viti 2024: Shqipëria përballë tragjedive të vetëvrasjeve, një pasqyrë e shëndetit mendor dhe sfidave sociale

Viti 2024: Shqipëria përballë tragjedive të

Nga Elva Kurti

Gjatë vitit 2024, Shqipëria u përball me një sërë ngjarjesh tragjike të vetëvrasjeve dhe tentativave për vetëvrasje, të cilat reflektojnë sfidat e shëndetit mendor dhe tensionet sociale në vend. Këto ngjarje, shpesh të lidhura me gjendje ekonomike të vështira, konflikte familjare dhe mungesën e mbështetjes së duhur institucionale, kanë tronditur opinionin publik dhe kanë ngritur shqetësime për nevojën e mbështetjes së individëve që kalojnë në krizë.

Rasti i nënës në lumin Buna

Një nga ngjarjet më tragjike të vitit ishte ai i Alma Arrazit, 39 vjeç, e cila më 2 maj 2024 u hodh nga ura e Bunës në Shkodër, duke marrë me vete tre fëmijët e saj të mitur. Mësohet se ajo kishte shfaqur shenja të rënda të shqetësimeve mendore pas një kafeje me kunatën e saj. Ngjarja rezultoi fatale për të katër, duke lënë pas një tragjedi dhe një thirrje urgjente për ndërhyrje institucionale për mbështetje më të fortë për individët me probleme të shëndetit mendor.

Tentativa e Shmangur e nënës me katër fëmijë

Vetëm disa muaj më vonë, më 17 korrik 2024, një 27-vjeçare në Shkodër tentoi të hidhej në lumin Buna së bashku me katër fëmijët e saj të mitur, të moshave 7, 5, 3 dhe 1 vjeç. Falë ndërhyrjes së shpejtë të policisë, tragjedia u parandalua, por ky rast vuri në dukje rëndësinë e monitorimit dhe mbështetjes për familjet në krizë.

Vetëvrasjet e Gushtit: Një javë tragjike

Muaji gusht solli një seri ngjarjesh tragjike, ku brenda një jave u raportuan shtatë vetëvrasje në zona të ndryshme të vendit. Ndër këto raste, një 28-vjeçar në Tiranë u vetëvar në banesën e tij në rrugën "Perlat Rexhepi", ndërsa një 21-vjeçar në Lushnjë u gjet i mbytur në një kanal me ujë në fshatin Çukas i Ri. Këto ngjarje të shpeshta forcuan ndjenjën e pasigurisë dhe dëshmuan mungesën e përkrahjes sociale për individët që kalojnë vështirësi emocionale.

Vdekja e 13-vjeçares shqiptare në Itali

Në tetor, në Piacenza të Italisë, Aurora, një 13-vjeçare shqiptare, humbi jetën pasi ra nga kati i shtatë i një pallati. I dashuri i saj 15-vjeçar u arrestua, ndërsa hetimet vazhdojnë për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për vrasje apo vetëvrasje. Ky rast ka ngritur shqetësime për ndihmën e duhur për të rinjtë që kalojnë periudha të vështira dhe që mund të jenë të rrezikuar nga dhuna apo presioni emocional.

Në nëntor, një ngjarje tragjike u raportua në Tiranë, ku një shtetas amerikan vrau gruan e tij, dy qentë e familjes dhe më pas kreu vetëvrasje. Autoritetet e identifikuan rastin si një kombinim të vrasjes dhe vetëvrasjes. Motivacionet prapa ngjarjes mbeten të paqarta, ndërsa hetimet janë ende në proces. Ky rast ka tronditur qytetarët dhe ka ngritur pyetje mbi shkaqet që çojnë në këso veprime ekstreme.

Sociologia Marsi Simo, në një intervistë për Politiko.al thekson rëndësinë e një bashkëpunimi më të ngushtë mes institucioneve shtetërore dhe familjeve për të parandaluar vetëvrasjet dhe për të siguruar mbështetje më të fortë për ata që ndodhen në rrezik.

Ajo vëren se, përveç ndërhyrjeve të shpejta, është thelbësore që të sigurohen shërbime të përhershme psikologjike dhe mbështetje sociale, të cilat janë ende të pamjaftueshme në Shqipëri.

Angazhimi i vazhdueshëm për përmirësimin e këtyre shërbimeve është kyç në luftën kundër fenomenit të vetëvrasjes, duke i dhënë mundësinë individëve të përballen më mirë me vështirësitë dhe të ruajnë shëndetin e tyre mendor.

Intervista

A është rritur numri i vetëvrasjeve në Shqipëri gjatë vitit 2024?

Sipas INSTAT, numri i i vdekjeve të regjistruara në Shqipëri gjatë vitit 2023 (këto janë të dhënat e fundit të plota sepse të 2024 dalin më vonë), është 21.286, duke shënuar 11,3 % vdekje më pak, krahasuar me vitin e kaluar. Referuar shkakut kryesor të vdekjeve, 96,6 % e vdekjeve kanë ndodhur si pasojë e shkaqeve natyrale. Po ashtu edhe numri i vetëvrasjeve raportohet më i ulët me një synim që të ketë ulje të vazhdueshme si një ndër objektivat kryesore deri në vitin 2023. Megjithatë duhet theksuar se pavarësisht shifrave, vetëvrasja është një fenomen që duhet trajtuar imtësisht duke analizuar të gjithë faktorët social, ekonomik, kulturore dhe  psikologjik.

Cilat janë arsyet kryesore që çojnë në vetëvrasje?

Fenomeni i vetëvrasjes është analizuar nga shumë sociologë dhe psikolog, ku do veҫoja Emile Durkheim, në librin "Vetëvrasja” ku trajtoi vetëvrasjen si një dukuri sociale që lidhet me shkallën e integrimit dhe rregullimit në shoqëri.

Bazuar në këtë analizë, por edhe në të dhëna të tjera që janë studiuar së fundmi, vetëvrasjet lidhen me:

Izolimin: Ndodh kur individët janë të izoluar ose të shkëputur nga grupet shoqërore. P.sh., më pak lidhje me familjen, komunitetin, miqtë etj.

Altruizëm: Kur individi ndjen një detyrim të madh ndaj shoqërisë apo një grupi, sa që sakrifikon jetën e tij për to. Kjo ndodh në shoqëri shumë të lidhura dhe të kontrolluara.

Kaosi social: Lidhet me mungesën e rregullave dhe stabilitetit shoqëror, shpesh gjatë krizave ekonomike apo sociale.

Shtypja: Kur individi përballet me presion dhe kontroll të tepruar, duke e bërë të ndihet i pafuqishëm.

A ka ndonjë grupmoshë ose kategori që është prekur më shumë këtë vit?

Nga të dhënat e fundit që raportohen tregohet se grupmosha 20-44 vjeç ka qenë më e prekur nga vetëvrasjet. Po ashtu mund të theksoj se numri i burrave që vetëvriten është më i lartë se gratë.

Si ndikojnë faktorët ekonomikë dhe socialë, si papunësia dhe izolimi, në këto raste?

Humbja e të ardhurave, vështirësitë për të përmbushur nevojat bazë vetjake apo të familjes krijojnë amulli dhe humbjen e shpresës. Kjo e vënë re kryesisht të burrat të cilët kulturalisht iu është lënë roli kryesor i familjes. Kjo mund të shpjegojë edhe faktin pse numri i vetëvrasjes të burrat është më e lartë.

Po ashtu papunësia shpesh lidhet me humbjen e identitetit dhe qëllimit, pasi puna është një pjesë e rëndësishme e vetëpërcaktimit të individit jo vetëm si burim i të ardhurave.

Me rëndësi është të përmendet dhe përkeqësimi i shëndetit mendor vitet e fundit. Depresioni dhe ankthi janë më të zakonshëm te personat e papunë, duke rritur rrezikun e mendimeve vetëvrasëse. Madje vihet re te gjenerata më e re tek shprehen se kanë ankth kronik duke i penguar të bëjnë një jetë të shëndetshme dhe të ekuilibruar.

Sot të rinjtë gjithnjë e më shumë po shkëputen nga familja apo komunikteti duke i rritur atyre ndjenjën e izolimit dhe vetmisë.

Çfarë roli kanë institucionet shqiptare dhe familja në parandalimin e vetëvrasjeve?

Duke ditur se cilët janë shkaqet edhe pse sigurisht janë komplekse, mund të ngrihen strategji për të parandaluar sa më shumë këtë fenomen. Pikat kryesore që do parashtroja janë:

Programet e punësimit duke parë dinamikat e ndryshimeve që po ndodhin në treg sot.

Shërbimet e mbështetjes sociale dhe psikologjike të cilat duhet të jenë aktive, falas për të gjithë Shqipërinë. Paralelisht duke rritur ndërgjegjësimin për rolin e psikologut.

Studime të vazhdueshme nga sociolog për të analizuar nëse programet aktuale, politikat që janë zbatuar së fundmi kanë qenë efektive apo jo, duke sugjeruar elemente më efikase duke i paraprirë ndryshimeve në të ardhmen.

Të fundit